Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas incidenteve të dhunshme që shoqëruan protestën e 13 tetorit para Ministrisë së Arsimit, duke dënuar çdo formë dhune dhe sulmi ndaj institucioneve apo bizneseve.
Përmes një postimi në Facebook, ku ka shpërndarë edhe pamje nga protesta, Gogu theksoi se e drejta për të protestuar është themelore, por duhet të ushtrohet duke respektuar sigurinë dhe të drejtat e qytetarëve të tjerë.
“Dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje. Aq më pak thirrjet për dhunë e kaos, sulmet ndaj institucioneve dhe bizneseve. E drejta për të protestuar është themelore dhe duhet respektuar. Por ajo shoqërohet me përgjegjësinë për të respektuar jetën, sigurinë dhe të drejtat e të tjerëve”, shkroi ministri.
Gogu bëri thirrje për qetësi dhe përgjegjësi, duke nënvizuar se respektimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve.
“Dhuna nuk i shërben asnjë qytetari. Qetësia, përgjegjësia dhe respekti për ligjin janë në interes të të gjithëve”, përfundoi ai.


