Tapet i kuq dhe banket madhështor për Xi në Shtëpinë e Bardhë, por pak rezultate nga takimi me Trump

25 Sep 2026 • 09:46
Shpërndaje:

Presidenti amerikan Donald Trump i rezervoi një pritje madhështore homologut kinez Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë, me nderime ushtarake, tapet të kuq dhe një darkë shtetërore, ndërsa të dy liderët kërkuan të projektonin një klimë bashkëpunimi mes dy fuqive më të mëdha ekonomike të botës.

Trump vuri theksin te marrëdhënia personale me Xi, duke deklaruar se mes tyre është krijuar një “miqësi vërtet e shkëlqyer”.

Ceremonia përfshiu formacione ushtarake dhe një parakalim ajror me një bombardues B-2 Spirit dhe katër avionë luftarakë F-22 Raptor, përpara se dy presidentët të zhvillonin bisedimet dypalëshe.

Reklamë Ola

Xi, nga ana tjetër, u përqendrua te ekonomia dhe tregtia. Presidenti kinez deklaroi se Pekini mbetet i hapur ndaj investimeve amerikane, por kërkoi që edhe kompanitë kineze të trajtohen në mënyrë të drejtë në Shtetet e Bashkuara.

Në diskutime hyri edhe një nga temat kryesore të rivalitetit SHBA-Kinë: inteligjenca artificiale. Xi bëri thirrje që zhvillimi i AI të mbahet nën kontroll dhe teknologjia të përdoret në shërbim të njerëzimit. Trump vuri më shumë theks te potenciali i saj, duke folur për mundësitë që “superinteligjenca” mund të krijojë për prosperitetin dhe paqen.

Reklamë InterMedika

Shumë ceremoni, pak marrëveshje

Pavarësisht pritjes së nivelit të lartë, takimi nuk prodhoi përparime të mëdha në çështjet që ndajnë Uashingtonin dhe Pekinin.

Rezultati më konkret ishte zgjatja me dy muaj e armëpushimit tregtar, duke shtyrë deri më 10 janar tarifat e larta dhe disa kufizime tregtare që rrezikonin të riktheheshin.

Por nuk u njoftua ndonjë marrëveshje e rëndësishme për çështjet më të ndjeshme, përfshirë inteligjencën artificiale, Tajvanin, luftën në Iran apo marrëdhëniet e Kinës me Rusinë në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, argumentoi se edhe mbajtja hapur e kanaleve të komunikimit me Pekinin ka rëndësi, duke marrë parasysh peshën ekonomike dhe ushtarake të Kinës.

Vizita, megjithatë, shkaktoi edhe kritika në Uashington, veçanërisht për pritjen madhështore që iu rezervua Xi.

Senatori demokrat Chris Van Hollen kritikoi qasjen e Trump ndaj presidentit kinez, duke argumentuar se marrëdhëniet personale dhe komplimentet ndaj liderëve të huaj nuk garantojnë rezultate për interesat amerikane.

Rezerva pati edhe brenda Partisë Republikane. Senatori Roger Wicker deklaroi se nuk do t’i kishte rekomanduar presidentit një pritje kaq pompoze për Xi Jinping.

Pavarësisht kritikave, Trump e përdori vizitën për të treguar se kanalet e nivelit më të lartë mes Uashingtonit dhe Pekinit mbeten të hapura. Por pas ceremonive, darkës shtetërore dhe deklaratave miqësore, mosmarrëveshjet kryesore mes dy vendeve – nga tregtia dhe teknologjia te Tajvani dhe konfliktet ndërkombëtare – mbeten ende pa zgjidhje.