Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, e ka cilësuar drejtimin e kuqezinjve si përvojën më të mirë të karrierës së tij si trajner, duke e vendosur mbi pjesëmarrjen me Brazilin në Kupën e Botës 2022.
Në një intervistë të fundit, tekniku brazilian 52-vjeçar u shpreh se kualifikimi i Shqipërisë në Kampionatin Europian ishte një arritje e veçantë, pasi ai kishte përgjegjësinë e plotë për drejtimin e skuadrës.
“Kam punuar me Brazilin në Kupën e Botës, por isha ndihmës. Ishte një përvojë shumë e mirë, por sigurisht që nuk i kisha të gjitha në dorën time. Në Shqipëri, i gjithë projekti dhe e gjithë përgjegjësia ishin të miat. Dhe kualifikimi ishte i veçantë. Debutova me humbje përballë Polonisë, por më pas nuk humbëm më”, deklaroi Sylvinho.
Ish-tekniku i kuqezinjve vlerësoi organizimin dhe disiplinën taktike të ekipit që ndërtoi, duke theksuar se Shqipëria ishte kthyer në një kundërshtar të vështirë për çdo përfaqësuese.
“Ishim shumë të fortë. Skuadrave që duhej të luanin kundër nesh nuk u pëlqente aspak kjo gjë. Na shihnin si një ekip shumë të organizuar, shumë të mirë dhe shumë të vështirë për t’u përballuar. E dinim saktësisht se çfarë duhej të bënim në fushë”, u shpreh ai.
Sylvinho theksoi gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes në Kampionatin Europian, të cilin e konsideron një nga skenat më të mëdha të futbollit ndërkombëtar, pas Kupës së Botës.
Sylvinho shpjegon largimin nga Shqipëria
I pyetur për përfundimin e bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Futbollit, trajneri brazilian deklaroi se vendimi kishte ardhur natyrshëm, pas mbylljes së një cikli.
Sipas tij, periudha e bashkëpunimit kishte ndihmuar në zhvillimin profesional si të stafit teknik, ashtu edhe të Federatës.
“Mendoj se ai bashkëpunim rriti si Federatën e Futbollit, ashtu edhe ne si staf teknik. Mendoj se momenti kur u vendos që raporti të ndërpritej ishte vendimi më i mirë për të gjitha palët, pasi kishte ardhur fundi i një cikli”, deklaroi Sylvinho.
Braziliani mbetet një nga trajnerët që ka lënë gjurmë në historinë e Kombëtares shqiptare, pasi e drejtoi ekipin drejt kualifikimit në Euro 2024, pjesëmarrja e dytë e Shqipërisë në fazën finale të një Kampionati Europian.


