Sundimi i Ligjit nën presion. A duhet BE-ja të reagojë nëpërmjet Nenit 7 edhe në rastin e Maltës?
Prej disa vitesh, Bashkimi Europian po përjeton një sërë krizash në gjirin e saj. Kriza e migracionit, kriza ekonomike apo Brexit janë vetëm disa prej krizave që kanë prekur BE-në dekadën e fundit. Megjithatë kriza e vlerave konsiderohet nga analistë të ndryshëm si sfida aktuale më e madhe e Bashkimit Europian. Shenjat e para të kësaj krize filluan të shfaqeshin me krizën ekonomike dhe financiare të 2008, ku disa prej vendeve anëtare kishin pasoja më të rënda në ekonomitë e tyre duke u përballur me efektin e sanksioneve dhe nevojës për marrjen e masave drastike.
Kriza ekonomike u pasua me krizën e migracionit, e cila nxorri në pah mungesën e kohezionit të Bashkimit Europian në çështje të cilat kërkonin zgjidhje të përbashkëta dhe të shpejta. Por mbi të gjitha kjo krizë nxorri në pah krizën e vlerave që po kalonte Bashkimi Europian në gjirin e saj. Ndonëse vende si Bullgaria dhe Rumania vazhdojnë ende të jenë nën mekanizmin e monitorimit të Komisionit Europian për sa i përket shtetit të së drejtës dhe korrupsionit, vende të tjera të Europës Qëndrore e Lindore shfaqen simptomat e para të krizës së vlerave ku BE themelohet si demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore.
Politika në BE vitet e fundit është dominuar nga lajme të cilat kanë pasur në qendër të tyre politikanë të akuzuar për konflikte interesi dhe keqpërdorim të fondeve të BE-së, liderë autoritarë që zëvendësojnë në mënyrë të parregullt gjykatësit dhe sulm i pajustifikuar ndaj mediave të pavarura apo zyrtarët qeveritarë të cilët kanë lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar apo në rastin e Maltës edhe lidhje me vrasjen.
Fillimisht Hungaria dhe Polonia, tani edhe Malta i shtohet listës së vendeve të cilat kanë cënuar vlerat me të cilat BE është themeluar.
Ndonëse procedura e nenit 7 të Traktatit themelues të BE-së në rastin e Hungarisë është iniciuar që në 2018 me një votim në Parlamentin Europian, prej pesëmbëdhjetë muajsh procesi duket se nuk po arrin në një përfundim të qartë. Ndonëse Freedom House e ka cilësuar Hungarinë në vlerësimin e 2019 si pjesërisht të lirë, duket se ky aspekt nuk ka ndikuar në përshpejtimin e procedurës së nisur për “shkelje të rëndë dhe të vazhdueshme të parimeve të lirisë, demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe të shtetit të së drejtës”.
Por çfarë parashikon neni 7 dhe çfarë implikimesh sjell një procedure e tillë për vendet anëtare?
Në nenin 7 (pika 1) përcaktohen se kush mund të jenë iniciatorët e një procedure të tillë dhe më konkretisht një e treta e shteteve anëtare të Parlamentit ose të Komisionit Europian. Në vijim qeveria e shtetit në fjalë paraqet qëndrimet e tij në lidhje me çështjen përpara Këshillit të BE-së e cila mund të formulojë rekomandimet e saj. Ndërsa në nenin 7 (pika 2) përcaktohet se është një vendim i marrë me unanimitet nga Këshilli i BE-së i cili përcakton nëse ka pasur një shkelje të rëndë dhe të vazhdueshme të parimeve.
Testi i rradhës për Bashkimin Europian është Malta, e cila edhe pse një vend i vogël paraqet sfida të mëdha në lidhje me korrupsionin, pastrimin e parave apo të tregtisë të paligjshme të naftës. Vdekja e gazetares e cila po investigonte rastet e korrupsionit dy vjet më parë në Maltë prodhoi një skandal e cila nuk preku vetëm ishullin po pati implikime për vetë BE-në. Kjo ngjarje e rëndë solli draftimin dy rezolutave me objekt sundimin e ligjit në Maltë por nga Komisioni Europian nuk u pa e arsyeshme të aktivohej mekanizmi i nenit 7.
Komisioni i ri i drejtuar nga Ursula von der Leyen do të nisë punën në sfondin e një krize të sundimit të ligjit në disa prej vendet anëtare. Vendosmëria në rikthimin e gjendjes ex ante për sa i përket sundimit të ligjit në ato vende ku ka pasur krizë është thelbësore edhe në raport me besueshmërinë e BE-së në politikën e zgjerimit. Në një moment kur Franca ka vënë në dyshim metodologjinë e politikës së zgjerimit, kriza e besueshmërisë në vlerat themelore të BEsë do ta dobësonte akoma më shumë fuqinë transformuese të saj vis a vis vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga Dr. Odeta Berberi