Stoltenberg: Siguria e SHBA-së nis në kufirin mes Evropës dhe Rusisë
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbeten në masë të madhe të varura nga aleatët e tyre evropianë për sigurinë e përbashkët, pavarësisht retorikës së fundit që vjen nga Uashingtoni.
Në një intervistë për të përditshmen gjermane Die Welt, Stoltenberg, i cili aktualisht është ministër i Financave i Norvegjisë, tha se mbrojtja e SHBA-së fillon në kufirin mes Evropës dhe Rusisë.
Ai theksoi se në Gadishullin Kola të Rusisë, pranë kufirit norvegjez, ndodhet një nga arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.
“Këto armë nuk janë të drejtuara ndaj Oslos, por ndaj Uashingtonit dhe Nju Jorkut. Norvegjia ndihmon në gjurmimin e nëndetëseve ruse sapo ato largohen nga bazat e tyre”, u shpreh Stoltenberg.
Sipas tij, Norvegjia kontribuon gjithashtu në sistemin e paralajmërimit të hershëm për lëshimin e raketave dhe ngritjen e avionëve ushtarakë.
“E njëjta situatë vlen edhe për Finlandën dhe shumë vende të tjera evropiane. Ky është një kontribut thelbësor për sigurinë e Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
Ish-kreu i NATO-s pranoi se mes SHBA-së dhe Evropës ekzistojnë dallime në fusha si tregtia, klima dhe siguria, por theksoi se mënyra më e mirë për të ruajtur forcën e Aleancës është rritja e investimeve evropiane në mbrojtje.
“Dhe pikërisht kjo po ndodh. Gjermania tashmë është në rrugën e duhur për t’u bërë investuesi më i madh evropian në fushën e mbrojtjes”, përfundoi Stoltenberg.







