×
Monday, June 29, 2026

Gogu magjistratëve të rinj: Drejtësia kërkon karakter, jo vetëm dije juridike

June 29, 2026


Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u bëri thirrje magjistratëve të rinj që ta ushtrojnë pushtetin që u jep ligji me integritet, përulësi dhe ndërgjegje, duke theksuar se besimi i qytetarëve te drejtësia ndërtohet jo vetëm mbi ligjin, por edhe mbi karakterin e atyre që e zbatojnë atë.

Në ceremoninë e diplomimit të Shkollës së Magjistraturës, Gogu deklaroi se reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë të re, ku suksesi do të matet nga cilësia e vendimeve, respektimi i të drejtave të njeriut dhe besimi i qytetarëve te sistemi.

“Nga kjo ditë e tutje, reforma nuk ka më fytyrën e ligjeve. Ka fytyrën tuaj,” u shpreh ministri.

Ai theksoi se magjistratët ushtrojnë një pushtet të veçantë mbi jetën, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, ndaj profesioni i tyre kërkon më shumë sesa njohuri juridike.

“Çdo profesion i beson njeriut pushtet. Magjistrati ushtron pushtet mbi të drejtat dhe liritë e tjetrit. Prandaj profesioni juaj nuk kërkon vetëm dije juridike. Kërkon karakter,” tha Gogu.

Ministri nënvizoi se edhe pushteti gjyqësor duhet të njohë kufijtë e tij, duke kujtuar se Kushtetuta, procedurat dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosin kufij mbi ushtrimin e pushtetit.

“Kushtetuta i vendos kufij pushtetit të shtetit. Ndërgjegjja i vendos kufij pushtetit të magjistratit,” u shpreh ai.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij ministri ia kushtoi integritetit dhe reflektimit profesional, duke paralajmëruar se rreziku më i madh për një magjistrat nuk është vetëm korrupsioni apo presioni, por humbja e aftësisë për të vënë në dyshim vendimet e veta.

“Ka vetëm një pyetje që nuk duhet të pushoni kurrë së bërë vetes: ‘A mund të jem gabim?’ Nëse një ditë pushoni së bërë këtë pyetje, mund të ketë filluar të ndodhë e kundërta,” tha ai.

Në përfundim, Gogu u kërkoi magjistratëve të mos synojnë popullaritetin, por drejtësinë, duke theksuar se edhe pala që humbet një proces duhet të largohet me bindjen se është dëgjuar, është trajtuar me dinjitet dhe se pushteti mbi të është ushtruar brenda kufijve të ligjit.

“Besimi është forma më e lartë e autoritetit që mund të ketë drejtësia,” përfundoi ministri.




Comments are closed.