×
Tuesday, June 30, 2026

Vuçiç paralajmëron largimin: Tërheqje politike apo strategji për të ruajtur pushtetin?

June 29, 2026


Nga Jovana Kërstiq (REL)

Tërheqje politike apo një taktikë për të ruajtur pushtetin? Kjo është pyetja që ka dominuar debatin publik në Serbi pas deklaratës së presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili para mijëra mbështetësve në Beograd tha se do të jetë president “vetëm edhe për disa javë”.

Nëse ky premtim realizohet, Vuçiq do të largohej nga posti gati një vit para përfundimit të mandatit të tij në maj 2027. Duke qenë se Kushtetuta serbe nuk lejon një mandat të tretë presidencial, ai nuk mund të rikandidojë për këtë funksion.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Vuçiq paralajmëron dorëheqjen. Ai e ka përdorur edhe më parë këtë retorikë gjatë krizave politike. Këtë herë, deklarata vjen në mes të protestave më të mëdha antiqeveritare të viteve të fundit, të udhëhequra nga studentët, të cilët kërkojnë luftë kundër korrupsionit dhe zgjedhje të parakohshme.

Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Dushan Spasojeviq, vlerëson se deklarata e Vuçiqit mund të jetë pjesë e një strategjie për t’u rikthyer në postin e kryeministrit.

Sipas tij, kjo do ta vendoste Vuçiqin edhe zyrtarisht në pozicionin që ai de facto e ka ushtruar prej vitesh: figurën kryesore politike që merr vendimet kryesore në Serbi.

Spasojeviq argumenton se ekzistojnë disa llogaritje politike pas këtij skenari. Njëra lidhet me faktin se Vuçiq nuk mund të kandidojë më për president dhe mund të kërkojë një funksion tjetër. Mbajtja njëkohësisht e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare do t’i mundësonte atij të dominonte fushatën elektorale.

Një tjetër skenar është se Partia Progresive Serbe (SNS) mund ta ketë të vështirë të fitojë zgjedhjet presidenciale me një kandidat tjetër, ndaj Vuçiq mund të zgjedhë një tërheqje strategjike drejt postit të kryeministrit, i cili në praktikë ka kompetenca më të gjera ekzekutive.

Edhe gjatë muajve të fundit, Vuçiq nuk e ka përjashtuar publikisht mundësinë e rikthimit në krye të qeverisë. Megjithatë, as Presidenca serbe dhe as SNS nuk kanë dhënë përgjigje për këtë mundësi.

Që nga nëntori i vitit 2024, Serbia është përfshirë nga protesta të vazhdueshme, ndërsa lëvizja studentore akuzon pushtetin për korrupsion dhe kërkon zgjedhje të reja parlamentare.

Sipas Spasojeviqit, deklarata e Vuçiqit është edhe një mënyrë për të treguar se ai vazhdon të kontrollojë ritmin e zhvillimeve politike, duke mbajtur në dorë vendimin për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Kritikët e presidentit e kanë akuzuar vazhdimisht se ka tejkaluar kompetencat kushtetuese. Kushtetuta e Serbisë i jep presidentit kryesisht rol përfaqësues, ndërsa pushteti ekzekutiv ushtrohet nga qeveria. Megjithatë, gjatë më shumë se një dekade në pushtet, Vuçiq është konsideruar figura dominuese e sistemit politik serb.

Profesori Spasojeviq beson se edhe nëse Vuçiq largohet nga presidenca, kjo nuk do të ndryshonte thelbin e pushtetit në Serbi.

Ai e krahason këtë model me alternimin e posteve nga Vladimir Putin në Rusi dhe Milo Gjukanoviq në Mal të Zi, ku fuqia politike mbetet te lideri dhe jo te funksioni që ai mban.

Aktualisht, SNS kontrollon shumicën në Kuvendin e Serbisë me 136 nga 250 deputetë. Kjo do të thotë se, edhe pa zgjedhje të reja parlamentare, Kuvendi mund të votojë një kryeministër të ri nëse qeveria aktuale largohet.

Në rast dorëheqjeje të presidentit, sipas Kushtetutës, kryetarja e Kuvendit Ana Bërnabiq do të marrë përkohësisht detyrën e presidentes dhe do të ketë deri në tre muaj kohë për të shpallur zgjedhjet presidenciale.

Hipotetikisht, nëse Vuçiq do të jepte dorëheqjen deri në fund të korrikut, zgjedhjet presidenciale mund të mbaheshin në muajin tetor.

Deri tani, as kabineti i presidentit dhe as Partia Progresive Serbe nuk kanë konfirmuar nëse një skenar i tillë është realisht në shqyrtim.




Comments are closed.