Spanjë, Sanchez: Epidemia e koronavirusit nën kontroll
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez deklaroi të mërkurën në Parlament se të dhënat e fundit mbi koronavirusin tregojnë se epidemia është nën kontroll. Deklarata erdhi teksa kreu i qeverisë përpiqet të sigurojë mjaftueshëm vota për të zgjatur me dy javë të tjera gjendjen e emergjencës.
Debatet parlamentare mbi mënyrën e orkestrimit të daljes nga bllokada e koronavirusit, që ka shkatërruar ekonominë dhe çuara në një humbje të madhe të vendeve të punës, vënë në dukje ambientin e brishtë politik të vendit, që është përballur me 4 zgjedhje parlamentare në 4 vjet.
Koalicioni i dobët qeveritar i Sanchez ka siguruar mbështetjen e partisë nacionaliste baske, PNV, që i shtohet partisë së qendrës së djathtë Qytetarët, që mbrëmjen e së martës deklaroi se do ta mbështesë zgjatjen e gjendjes së emergjencës, që skadon të shtunën më 9 maj.
“Siç duket, situata në vend ka ndryshuar rrënjësisht krahasuar me javët e tmerrshme që përjetuam. Më në fund Spanja ka hyrë në një fazë tranzicioni drejt një normaliteti të ri, që është faza e lehtësimit të masave”, deklaroi Sanchez.
Ai shtoi se gjendja e jashtëzakonshme nuk është një mashtrim për të reduktuar liritë e qytetarëve, sikundër pretendojnë partitë e opozitës.
Epidemia e koronavirusit në Spanjë ka vrarë mbi 25 mijë persona, ndërsa ekonomia është tkurrur me kuotën rekord prej 5.2 për qind në tre muajt e parë të 2020-s për shkak të impaktit të fortë.
Eunews.al