Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, mori pjesë sot në prezantimin e Sistemit Unik të Gjobave “e-Gjoba”, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administrimit, monitorimit dhe ndjekjes së masave administrative nga institucionet shtetërore.
Gjatë fjalës së tij, Sula theksoi se sistemi i ri synon të garantojë dokumentimin e saktë të vendimeve, gjurmueshmërinë e procedurave dhe ndjekjen e çdo detyrimi deri në ekzekutimin e tij.
Sipas kryeinspektorit, platforma do të rrisë transparencën ndaj qytetarëve dhe bizneseve, duke u mundësuar akses në informacionin mbi gjobat, institucionet përgjegjëse, mënyrën e pagesës dhe procedurat e ankimit.
“Qytetari duhet të dijë për çfarë është gjobitur, nga cili institucion, si mund ta paguajë apo kundërshtojë gjobën dhe në çfarë faze ndodhet shqyrtimi i saj. Institucioni duhet të pasqyrojë saktë dhe në kohë çdo veprim që lidhet me këtë proces”, deklaroi Sula.
Inspektorati i Përgjithshëm, në cilësinë e administratorit të sistemit, do të monitorojë përdorimin e regjistrit dhe do të bashkëpunojë me institucionet për adresimin e problematikave që mund të evidentohen gjatë zbatimit.
Në këtë kuadër, Sula u kërkoi institucioneve të përcaktojnë personat përgjegjës për administrimin e informacionit, respektimin e afateve dhe përditësimin në kohë të pagesave, ankimeve dhe vendimmarrjeve përkatëse.
“Një pagesë e kryer apo një vendim i ndryshuar duhet të reflektohet në sistem, në mënyrë që qytetari dhe administrata të mbështeten në të njëjtin informacion të përditësuar”, theksoi ai.
Regjistri elektronik do t’u mundësojë gjithashtu drejtuesve të institucioneve monitorimin e detyrimeve të papaguara, ecurisë së procedurave dhe përgatitjen e raporteve statistikore ditore, javore, mujore dhe vjetore, në nivel rajonal dhe kombëtar.
Sipas Sulës, këto të dhëna do të shërbejnë për identifikimin e problematikave, përmirësimin e vendimmarrjes dhe forcimin e përgjegjshmërisë institucionale.
Kryeinspektori falënderoi Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe ekipet e angazhuara në realizimin e platformës, duke nënvizuar se suksesi i sistemit do të matet përmes besueshmërisë së informacionit dhe cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
“Angazhimi ynë i përbashkët është ta bëjmë e-Gjoba pjesë funksionale të punës së përditshme. Inspektorati i Përgjithshëm do të ushtrojë rolin e tij si administrator me përkushtim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me ju”, përfundoi Sula.


