Policia e Shtetit ka certifikuar punonjësit e angazhuar në edukimin dhe punën me të rinjtë, pas përfundimit të një programi trajnimi të fokusuar në sigurinë në shkolla, parandalimin e dhunës dhe forcimin e bashkëpunimit mes Policisë dhe komunitetit shkollor.
Gjatë ceremonisë u shpërndanë certifikatat për ndihmës specialistët për Edukimin dhe Punën me të Rinjtë, të cilët do të vijojnë angazhimin e tyre në institucionet arsimore, në kuadër të zbatimit të Paketës së Sigurisë në Shkolla.
Në fjalën e tij, Hita theksoi rëndësinë e rolit të punonjësve të Policisë në krijimin e një marrëdhënieje besimi me nxënësit, veçanërisht në shkollat 9-vjeçare.
“Ju jeni përfaqësuesit e Policisë së Shtetit në marrëdhënien me brezin e ri, veçanërisht me nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Roli juaj është thelbësor, sepse përmes komunikimit dhe edukimit ju ndihmoni në ndërtimin e një marrëdhënieje besimi mes Policisë dhe komunitetit”, deklaroi ai.
Sipas Hitës, edukimi i të rinjve për respektimin e ligjit, normave shoqërore dhe kundërshtimin e dhunës përbën një investim afatgjatë për krijimin e një shoqërie më të sigurt.
Ai nënvizoi se siguria në shkolla do të mbetet një nga prioritetet e Policisë së Shtetit, ndërsa u kërkoi punonjësve të mos e kufizojnë angazhimin e tyre vetëm në zhvillimin e orëve edukative.
“Mos e shihni veten thjesht si punonjës policie që shkoni në shkollë për të zhvilluar një orë edukimi. Shiheni veten si një pikë referimi për nxënësit, si njerëz te të cilët ata mund të drejtohen pa frikë, të kërkojnë ndihmë dhe të gjejnë mbështetje”, u shpreh Hita.
Në aktivitet mori pjesë edhe zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, e cila vlerësoi angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit në zbatimin e Paketës së Sigurisë në Shkolla.
Ruseti theksoi se siguria e fëmijëve kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm institucional dhe një angazhim që shkon përtej përgjegjësive ligjore të punonjësve.
Ajo vlerësoi veçanërisht kontributin e grave dhe vajzave në strukturat e Policisë, duke nënvizuar ndikimin e pranisë së tyre në forcimin e besimit të nxënësve dhe identifikimin e problematikave me të cilat përballen të rinjtë.
Zëvendësministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes Policisë, drejtuesve të shkollave, psikologëve, punonjësve socialë dhe oficerëve të sigurisë për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës.
Një tjetër zhvillim i prezantuar gjatë aktivitetit ishte platforma “Help4You”, e krijuar nga Europol, e cila tashmë është e disponueshme edhe në gjuhën shqipe.
Përshtatja e platformës është realizuar falë bashkëpunimit mes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Projektit Suedez për Policimin në Komunitet.
“Help4You” synon të ndihmojë nxënësit dhe të rinjtë të informohen dhe të kërkojnë këshillim për rastet e dhunës, si dhe për rreziqet dhe problematikat që mund të hasin në internet dhe në hapësirën digjitale.
Ndërkohë, drejtori i Programit SCPA, Ansi Shundi, shpjegoi se trajnimet synojnë të qartësojnë rolin dhe përgjegjësitë e punonjësve të Policisë në zbatimin e Paketës Kombëtare të Sigurisë në Shkolla.
Sipas tij, një nga objektivat kryesorë është përcaktimi i rasteve kur kërkohet ndërhyrja e Policisë, mënyra e veprimit dhe ndarja e përgjegjësive me drejtuesit e institucioneve arsimore, psikologët dhe strukturat e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve.
Përmes këtyre trajnimeve dhe mjeteve të reja informuese, Policia e Shtetit synon të forcojë parandalimin e dhunës, të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve dhe të krijojë një mjedis më të sigurt në institucionet arsimore.


