Shqipëria dhe Franca, bashkëpunim për menaxhimin e mbetjeve

19 Nov 2026 • 17:18
Shpërndaje:

Shqipëria dhe Franca synojnë të forcojnë bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të mbetjeve, me fokus zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe investimet në modernizimin e infrastrukturës mjedisore.

Kjo çështje ishte në qendër të takimit të zhvilluar mes ministrit të Mjedisit, Jaupaj, dhe një delegacioni francez të kryesuar nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.

Në delegacion morën pjesë gjithashtu Armel Castets, zëvendësdrejtor i Financimeve Ndërkombëtare në Thesarin Francez, dhe Theodore Robert, këshilltar për Diplomacinë Ekonomike.

Reklamë Ola

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorin e menaxhimit të mbetjeve, ecurinë e projekteve ekzistuese dhe hapat e nevojshëm për avancimin e investimeve në këtë fushë.

“Gjatë takimit diskutuam mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e menaxhimit të mbetjeve, ecurinë e projekteve në zhvillim dhe hapat e mëtejshëm për avancimin e investimeve në infrastrukturën e menaxhimit të integruar të mbetjeve”, deklaroi ministri Jaupaj.

Reklamë InterMedika

Diskutimet u përqendruan veçanërisht në rëndësinë e zhvillimit të një infrastrukture moderne për menaxhimin e integruar të mbetjeve, si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e standardeve mjedisore në Shqipëri.

Takimi zhvillohet në kuadër të angazhimeve për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare në sektorin e mjedisit dhe për nxitjen e investimeve që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm.

Bashkëpunimi me Francën synon gjithashtu të kontribuojë në përafrimin e praktikave shqiptare të menaxhimit të mbetjeve me standardet e Bashkimit Europian, një proces i rëndësishëm në kuadër të integrimit europian të vendit.

Përmes këtij partneriteti, palët synojnë të avancojnë projektet në zhvillim dhe të identifikojnë mundësi të reja investimi për përmirësimin e infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri.