×
E martë, 24 Nëntor, 2020

Shtëpia e Bardhë ndërmjetëson normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Sudanit

24 Tetor, 2020

Presidenti Donald Trump njoftoi të premten se Izraeli dhe Sudani kanë rënë dakord të marrin hapa për të normalizuar marrëdhëniet, duke e paraqitur si një fitore të politkës së tij të jashtme para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Shteti i Izraelit dhe Republika e Sudanit kanë rënë dakord të bëjnë paqe,” u tha zoti Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. “Ky do të jetë vendi i tretë ku e realizojmë këtë dhe kemi shumë e shumë të tjerë më pas.”

Sudani është vendi i tretë arab në muajt e fundit që vendos lidhje me Izraelin, pasi Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan Marrëveshjet e Abrahamit në shtator.

Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë duke thënë se “në javët e ardhshme, të dyja vendet do të fillojnë negociatat mbi marrëveshjet e bashkëpunimit në bujqësi, ekonomi, tregëti, aviacion, çështje imigracioni dhe fusha të tjera me përfitim të ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i dha formë përfundimtare marrëveshjes në një telefonatë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe kryeministrin Sudanez Abdalla Hamdok, si edhe kreun e Këshillit Kalimtar Abdel Fattah al-Burhan, thanë zyrtarë të lartë të SHBA.

Kryeministri Netanyahu e përshëndeti njoftimin, duke e quajtur atë “një tjetër përparim dramatik drejt paqes”.

Zoti Trump këmbënguli se edhe palestinezët “duan të bëjnë diçka” por nuk ofroi ndonjë provë. Udhëheqësit palestinezë kanë dënuar përpjekjet e fundit arabe ndaj Izraelit si një tradhti ndaj çështjes së tyre nacionaliste dhe kanë refuzuar të angazhohen me administratën Trump, duke e parë atë si të njëanshme në favor të Izraelit.

“Askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të popullit Palestinez dhe në emër të çështjes Palestineze,” tha Presidenti Palestinez Mahmoud Abbas në një deklaratë.

Sudani kishte qenë prej kohësh një aleat i çështjes Palestineze nën Presidentin Omar al-Bashir, i cili u rrëzua në 2019, pas 30 vjetësh në pushtet.

Zoti Netanyahu e përshëndeti marrëveshjen si një “epokë të re” për rajonin, por udhëheqja palestineze, duke parë se si gjithnjë e më shumë vende arabe po e shohin asporatën e tyre për shtetësi si një përparësi më të vogël, e quajti atë një “goditje të re pas shpine”.

Ndërsa përballet me një krizë ekonomike, qeveria kalimtare e Sudanit nën Abdalla Hamdok ka mirëpritur stimujt e tregtisë dhe investimeve që vijnë si pjesë e marrëveshjes së normalizimit me Izraelin. Një deklaratë e përbashkët nga të treja vendet përfshiu një premtim nga Shtetet e Bashkuara për të siguruar lehtësimin e borxhit ndërkombëtar për Kartumin.

Sudani po negocion nga një pozitë e dobët ndaj dy prej vendeve më të forta në rajon dhe në botë, thotë Cameron Hudson, i Qendrës Afrikane në Këshillin e Atlantikut.

“Shumë njerëz do ta shikojnë vendimin nga Sudani si një veprim të cilin ai ishte i detyruar ta ndëmerrte,” i tha zotu Hudson Zërit të Amerikës. “Njerëzit në vend po e quajnë shantazh. Sigurisht nuk duket të jetë një marrëveshje mes të barabartëve.”

Por zoti Hudson tha se marrëveshja pasqyron gjithashtu përpjekjet e qeverisë kalimtare për të rinovuar marrëdhëniet e tyre me pjesën tjetër të botës dhe për të krijuar një politikë të jashtme më të ekuilibruar.

Vendimi i zotit Trump këtë javë për ta hequr Sudanin nga lista amerikane e mbështetësve të terrorizmit i hapi rrugën marrëveshjes me Izraelin.

Të premten, sekretarja e shtypit Kayleigh McEnany lëshoi një deklaratë sipas së cilës, presidenti e ka informuar Kongresin për qëllimin e tij.

“Kjo pason marrëveshjen e fundit të Sudanit për të zgjidhur pretendime të caktuara të viktimave amerikane të terrorit dhe familjeve të tyre. Dje, në përmbushje të asaj marrëveshje, qeveria kalimtare e Sudanit transferoi 335 milion dollarë në një llogari për këto viktima dhe familjet e tyre,” thuhet në deklaratë.

Sudani është renditur si një sponsor shtetëror i terrorizmit që nga viti 1993, së bashku me Iranin, Korenë e Veriut dhe Sirinë, që do të thoshte kufizime të ndihmës së huaj të SHBA, përfshirë ndalimin e eksporteve të mbrojtjes dhe shitjeve. Heqja e Sudanit nga kjo listë ishte një kërkesë nga Kartumi për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin me Izraelin.

“Nuk kishte diskutim për Izraelin para se presidenti të njoftonte Kongresin që Sudani po hiqej nga lista e terrorizmit,” tha zoti Hudson, duke shtuar se Kartumi donte që heqja të ishte “e pakthyeshme” para se të njoftonin një marrëveshje.

Duke iu përgjigjur një pyetje të Zërit të Amerikës, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili ishte i pranishëm për njoftimin e Zyrës Ovale të premten, tha se heqja nga lista e terrorizmit dhe marrëveshja e normalizimit “të dyja kishin një gjë të përbashkët: Ishin në të mirë Ata të popullit Sudanez”.

“Këta dy udhëheqës nga Sudani vepruan drejt. Tani kemi një qeveri të udhëhequr nga civilët brenda Sudanit,” tha zoti Pompeo, duke theksuar se Uashingtoni synon të mbështesë qeverinë kalimtare.

Izraeli dhe Sudani planifikojnë të fillojnë nga hapja e lidhjeve ekonomike dhe tregtare, me një fokus fillestar tek bujqësia, thuhej në deklaratën e përbashkët. Një zyrtar i lartë amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se çështje të tilla si vendosja zyrtare e lidhjeve diplomatike do të zgjidheshin më vonë.

Presidenti Trump e vlerësoi marrëveshjen para gazetarëve në Zyrën Ovale me udhëheqësit izraelitë dhe sudanezë në një telefonatë trepalëshe, duke thënë se të paktën pesë vende të tjera donin të ndiqnin atë shembull dhe të normalizonin marrëdhëniet me Izraelin.

“A mendoni se ‘Joe i fjetur’ mund ta kishte bërë këtë marrëveshje?” e pyeti presidenti Trump kryeministrin Netanyahu, duke përdorur nofkën për rivalin e tij një ditë pas debatit të tyre përfundimtar të ashpër të fushatës presidenciale të vitit 2020. ” Nuk mendoj kështu.”

Zoti Netanyahu, duke u bazuar në mbështetjen dypartiake për Izraelin në Uashington, u përgjigj se Izraeli e vlerëson “ndihmën për paqe nga çdokush në Amerikë. “

Ndihmësit e Presidentit Trump i shohin politikat e tij pro-Izraelit si tërheqëse për votuesit evangjelistë të krishterë, të cilët janë ndër mbështetësit e tij më të mëdhenj.

Në javët e fundit Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini u bënë shtetet e para Arabe në një çerek shekulli që ranë dakord për lidhje zyrtare me Izraelin, të krijuara kryesisht përmes frikës së përbashkët të Iranit.

Në komentet e tij në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump përmendi edhe marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, duke lënë të kuptohej se administrata e tij po sillte paqe përmes bashkëpunimit ekonomik.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për