Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar të procesit të anëtarësimit në Organizatën për Bashkëpunim Digjital (DCO), një organizatë ndërkombëtare që synon zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare.
Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministria, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njoftohet edhe vizita e Sekretares së Përgjithshme të DCO-së në Shqipëri.
Sipas Kryeministrisë, vizita zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për anëtarësim dhe ka në fokus prezantimin e arritjeve të vendit në transformimin digjital, si dhe diskutimin e hapave të mëtejshëm të këtij procesi.
Një tjetër objektiv i takimeve është konfirmimi i mbështetjes politike në nivel të lartë për anëtarësimin e Shqipërisë në organizatë.
“Shqipëria është në një fazë të avancuar të procesit të anëtarësimit në Organizatën për Bashkëpunim Digjital (DCO)”, njofton Kryeministria.
Organizata për Bashkëpunim Digjital ka si mision nxitjen e zhvillimit të ekonomisë digjitale, reduktimin e hendekut teknologjik dhe krijimin e mundësive të barabarta për qytetarët, bizneset dhe vendet pjesëmarrëse.
Anëtarësimi në këtë organizatë synon të zgjerojë mundësitë e Shqipërisë për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e teknologjisë dhe transformimit digjital.


