×
Friday, July 10, 2026

Shqipëria anëtarësohet në organin më të lartë evropian të mjekësisë ligjore, Gogu: Hap i rëndësishëm drejt standardeve të BE-së

July 9, 2026


Shqipëria ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe përafrimin me standardet evropiane, duke u bërë zyrtarisht anëtare e European Council of Legal Forensic Medicine (ECLFM), organi më i lartë evropian në fushën e mjekësisë ligjore.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e cilësoi anëtarësimin si një arritje strategjike që forcon pozicionin e Shqipërisë në komunitetin evropian të mjekësisë ligjore dhe hap perspektiva të reja për zhvillimin profesional, shkencor dhe institucional.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gogu theksoi se ky anëtarësim i jep Shqipërisë mundësinë të marrë pjesë në hartimin e standardeve evropiane për autopsitë, hetimin e vendit të ngjarjes dhe ekspertizat mjekoligjore, si edhe të kontribuojë në projekte shkencore dhe grupe ndërkombëtare pune.

“Shqipëria tashmë ka zërin e saj në organin më të lartë evropian të mjekësisë ligjore. Anëtarësimi në ECLFM forcon pozicionin e vendit tonë në komunitetin evropian të mjekësisë ligjore dhe hap mundësi të reja për zhvillim profesional e shkencor”, u shpreh ministri.

Sipas tij, ky status i ri do t’i mundësojë Shqipërisë:

  • të përfaqësohet zyrtarisht në organin më të lartë evropian të mjekësisë ligjore;
  • të kontribuojë në hartimin e standardeve evropiane për autopsitë, hetimin e vendit të ngjarjes dhe ekspertizat mjekoligjore;
  • të marrë pjesë në projekte shkencore dhe grupe ndërkombëtare pune;
  • të forcojë bashkëpunimin me institucionet homologe evropiane;
  • të përmirësojë trajnimin dhe kualifikimin e specialistëve shqiptarë;
  • të rrisë besueshmërinë dhe njohjen ndërkombëtare të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ministri Gogu e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së ekspertizës mjekoligjore në shërbim të drejtësisë, duke theksuar se anëtarësimi në ECLFM e afron më tej Shqipërinë me standardet më të mira evropiane në këtë fushë.




Comments are closed.