Demo: 150 mln euro për menaxhimin e mbetjeve deri në 2030, 13 mln euro për transportin e gjelbër
Ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore, Ervin Demo, prezantoi prioritetet e programit “Rilindja 2.0”, duke bërë të ditur një paketë investimesh që synon modernizimin e shërbimeve vendore, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së jetesës në bashki.
Gjatë prezantimit, Demo theksoi se menaxhimi i mbetjeve mbetet një nga sfidat kryesore të qeverisjes vendore, duke njoftuar se deri në vitin 2030 parashikohen 150 milionë euro investime për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme dhe mbulimin 100% të territorit me shërbimin e menaxhimit të mbetjeve.
Sipas tij, zhvillimi i turizmit ka rritur ndjeshëm nevojën për zgjerimin e këtij shërbimi në çdo zonë të vendit.
“Menaxhimi i mbetjeve është një sektor që kërkon investime të mëdha. Turizmi ka krijuar një realitet të ri, ku çdo cep i Shqipërisë është i vizitueshëm dhe kjo e bën edhe më të domosdoshëm mbulimin e plotë të territorit. Deri në vitin 2030 projektojmë investime prej 150 milionë eurosh dhe do të punojmë ngushtë me bashkitë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj sfide”, u shpreh ministri.
Një tjetër prioritet i programit është transporti i gjelbër, për të cilin janë alokuar 13 milionë euro. Demo tha se fondi do të përdoret për ngritjen e një modeli të ri të transportit urban dhe ndërurban, veçanërisht në bashkitë me flukse të larta turistike.
Ai sqaroi se Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të mbështesë financiarisht projektin, ndërsa administrimi i shërbimit do të jetë në kompetencën e bashkive, të cilat do të kenë mundësi të krijojnë kompani publike për ofrimin e një transporti modern dhe miqësor me mjedisin.
Ministri u ndal edhe te sektori i ujësjellësve dhe trajtimit të ujërave të ndotura, duke e cilësuar atë si një problem të trashëguar prej dekadash. Sipas tij, aktualisht janë në zbatim projekte me vlerë mbi 100 milionë euro, ndërsa deri në fund të dekadës do të nevojiten investime të tjera për zgjidhjen përfundimtare të kësaj problematike.
Në fjalën e tij, Demo njoftoi gjithashtu nisjen e procedurave për një fond prej 20 milionë eurosh, të siguruar me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, për pajisjen e bashkive me mjete moderne që do të përdoren për mirëmbajtjen e infrastrukturës rurale dhe bujqësore, si edhe për përballimin e situatave emergjente.
Ai shtoi se për infrastrukturën bujqësore janë tashmë gati projekte me vlerë 94 milionë euro, por theksoi se nevojat në terren mbeten edhe më të mëdha dhe do të kërkojnë financime të reja në vitet në vijim.







