×
Friday, July 10, 2026

Komisioni miraton tre projektligje për biznesin, Shqipëria përafron legjislacionin me BE-në

July 10, 2026


Komisioni Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot tre projektligje që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e biznesit, si pjesë e detyrimeve të Kapitullit 6 të negociatave për anëtarësim.

Projektligji “Për Statutin e Shoqërive Evropiane” u miratua me argumentin se do t’u japë mundësi kompanive shqiptare, në partneritet me kompani nga vendet e BE-së, të krijojnë Shoqëri Evropiane (SE) dhe të operojnë në të gjithë tregun evropian me një identitet të vetëm juridik.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, shpjegoi se ligji nuk krijon një formë të re biznesi, por u mundëson shoqërive aksionare që plotësojnë kriteret të organizohen sipas një modeli të njohur në të gjithë Bashkimin Evropian.

Sipas tij, pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kompani shqiptare dhe partnere nga vende të ndryshme të unionit do të mund të krijojnë një holding të përbashkët dhe të operojnë në disa shtete pa qenë e nevojshme të hapin degë apo filiale në secilin vend.

Komisioni miratoi gjithashtu projektligjin “Për Grupimet Ekonomike me Interes Evropian”, i cili synon të lehtësojë bashkëpunimin ndërmjet kompanive shqiptare dhe atyre evropiane.

Musabelliu tha se ky model u jep mundësi kompanive që janë pjesë e të njëjtit zinxhir ekonomik të krijojnë një strukturë të përbashkët koordinuese, pa themeluar një shoqëri të re dhe pa kosto shtesë administrative. Ai theksoi se kjo formë bashkëpunimi krijon gjithashtu lehtësi për aplikimin dhe përfitimin e drejtpërdrejtë të fondeve të Bashkimit Evropian për sektorin privat.

Ndërkohë, deputetja socialiste Romina Kuko prezantoi projektligjin “Për Shoqëritë Evropiane të Bashkëpunimit”, i cili synon të krijojë një kuadër ligjor për bashkëpunimin mes prodhuesve dhe sipërmarrjeve nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Sipas Kukos, ky model u mundëson të paktën pesë personave fizikë ose juridikë nga minimumi dy shtete të ndryshme të BE-së të krijojnë një shoqëri të vetme me identitet juridik të përbashkët, duke ruajtur njëkohësisht pavarësinë e secilit anëtar. Ajo solli si shembull bashkëpunimin e tre shoqërive nga Spanja, Danimarka dhe Belgjika, të cilat përdorën këtë model për zhvillimin e projekteve në energjinë diellore dhe atë të erës.

Projektligjet do të shqyrtohen edhe nga komisionet e tjera parlamentare përpara se t’i nënshtrohen votimit përfundimtar në seancë plenare.




Comments are closed.