×
E diel, 17 Janar, 2021

SHBA, rritet frika për sigurinë e punonjësve të zgjedhjeve në shtetet përcaktuese

6 Nëntor, 2020

Tensionet rreth zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara po i bëjnë disa zyrtarë shtetërorë dhe lokalë që të shtojnë masat e sigurisë për ata që numërojnë votat e mbetura.

Mbështetësit e Presidentit republikan Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden e kanë përqendruar vëmendjen në shtete si Arizona, Nevada dhe Pensilvania, ku rezultati i zgjedhjeve është i ngushtë dhe është ende e pamundur të shpallet fituesi.

Tensionet janë rritur ndërsa akuzat për parregullsi në procesin e numërimit të votave kanë shkaktuar protesta jashtë ndërtesave ku po bëhet numërimi.

“Jam i shqetësuar për sigurinë e stafit tim”, tha Joe Gloria, zyrtar i zgjedhjeve në distriktin Klark të Nevadës, më 5 nëntor, kur rreth 75 persona, disa të veshur me bluza me mbishkrimin Trump, brohorisnin “Stop vjedhjes (së votave)” dhe protestonin jashtë qendrave zgjedhore të qarkut.

North Las Vegas Police officers keep an eye on supporters of U.S. President Donald Trump during a "Stop the Steal" protest at Clark County Election Center in North Las Vegas, Nevada, U.S. November 5, 2020. REUTERS/Steve Marcus
North Las Vegas Police officers keep an eye on supporters of U.S. President Donald Trump during a “Stop the Steal” protest at Clark County Election Center in North Las Vegas, Nevada, U.S. November 5, 2020. REUTERS/Steve Marcus

Nuk pati njoftime për akte dhune, por pas frikësimeve në zona të tjera në të gjithë vendin, zoti Gloria tha se zyra e tij po merr masa.

“Ne po marrim masa për të garantuar sigurinë e nevojshme”, tha ai. “Ne kemi forcat e rendit që po na mbrojnë.”

Në shtetin fqinj të Arizonës, zyrtarët e zgjedhjeve në Qarkun e Merikopës njoftuan të enjten se do të krijonin një “zonë të fjalës së lirë” për protestuesit me ndihmën e zyrës së sherifit lokal.

“Është e domosdoshme që ne të ekuilibrojmë mbrojtjen dhe mirëqenien e punonjësve tanë të zgjedhjeve dhe vullnetarëve me të drejtën kushtetuese të protestuesve”, tha përmes një deklarate Departamenti i Zgjedhjeve në Qarkun e Merikopës, duke shtuar se ndryshimet do të lejonin stafin të numëronte votat dhe të largohej nga ndërtesa “pa kërcënimin e frikësimit”.

Zyrtarët e Qarkut të Merikopës i morën këto masa pas një proteste nga rreth 200 mbështetës të Presidentit Trump, disa të armatosur me pushkë ose pistoleta, jashtë Departamentit të Zgjedhjeve në Finiks më 4 nëntor.

Qarku kërkoi ndihmën e policisë për të shoqëruar personelin e departamentit zgjedhor nga ndërtesa.

Konfrontimet midis protestuesve dhe zyrtarëve të zgjedhjeve u raportuan gjithashtu më 4 nëntor në Detroit të Miçiganit, kur oficerët e policisë ndaluan hyrjen e mbështetësve të Presidentit Trump dhe zotit Biden në një ndertësë ku po bëhej numërimi i votave.

Zyrtarët thanë se dritaret ishin mbuluar për të penguar protestuesit dhe vëzhguesit të filmonin punonjësit e qendrës së votimit dhe vullnetarët.

Protestat gjatë natës më 4 nëntor në Portland të Oregonit gjithashtu u bënë të dhunshme. Policia bëri 10 arrestime dhe sekuestroi armë të shumta zjarri si dhe municione.

Në Miçigan, prokurorja e përgjithshme e shtetit u ankua më 5 nëntor në Twitter për ngacmime përmes telefonatave dhe kërcënime ndaj stafit të saj.

“Siguria e zyrtarëve të zgjedhjeve dhe punonjësve të zgjedhjeve është thelbësore”, i tha Zërit të Amerikës një zëdhënës i Shoqatës Kombëtare të Drejtorëve Shtetëror të Zgjedhjeve më 5 nëntor.

“Zyrtarët e zgjedhjeve kanë plane rezervë (nëse situata del jashtë kontrollit)”, shtoi zëdhënësi.

Zyrtarët federalë dhe shtetërorë janë përgatitur për akte të mundshme dhune për muaj me radhë, duke parashikuar tensione për shkak të një rezultati të ngushtë të zgjedhjeve dhe gjasave për vonim të rezultateve për shkak të numrit të lartë të fletëvotimeve me postë.

“Vonesat dhe rinumërimi i votave mund të rezultojnë në protesta dhe përpjekje për të pushtuar qendrat zgjedhore”, paralajmëroi Departamenti i Sigurisë Kombëtare në Nju Xhersi në një raport të lëshuar në fund të shtatorit.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit, duke përfshirë zyrtarë të FBI-së, gjithashtu shprehën shqetësimin para zgjedhjeve se vendet armike të Shteteve të Bashkuara, si Rusia, Irani dhe Kina, mund të përdorin ditët pas votimit të 3 nëntorit për të ndezur “trazira dhe konflikte”, që mund të çojnë në dhunë.

“Përgatitjet tona për [zgjedhjet e vitit 2020] marrin parasysh klimën aktuale të vendit”, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i FBI-së në atë kohë.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për