Lavrov kundërshton praninë e NATO-s pranë Afganistanit, vlerëson qeverisjen talebane

05 Oct 2026 • 15:35
Shpërndaje:

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka deklaruar se Moska kundërshton kategorikisht çdo përpjekje për vendosjen e infrastrukturës ushtarake të NATO-s në Afganistan ose në vendet fqinje, duke paralajmëruar se një prani e tillë mund të krijojë rreziqe të reja për sigurinë rajonale.

Duke folur në konsultimet e Formatit të 8-të të Moskës për Afganistanin, Lavrov tha se Rusia e konsideron të papranueshme rikthimin e infrastrukturës ushtarake perëndimore në rajon pas tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.

Ai vlerësoi ndërkohë autoritetet talebane, duke deklaruar se ato kanë arritur të vendosin kontroll mbi pjesën më të madhe të territorit dhe të ruajnë funksionimin e institucioneve shtetërore. Këto janë vlerësime të Moskës, ndërsa qeverisja talebane vijon të jetë objekt kritikash ndërkombëtare, veçanërisht për kufizimet ndaj grave dhe vajzave.

Reklamë Ola

Lavrov përmendi gjithashtu operacionet e forcave afgane kundër degës lokale të ISIS-it dhe grupeve të tjera militante, duke thënë se janë parandaluar sulme dhe janë neutralizuar qindra luftëtarë.

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë Afganistanin në forcimin e kapaciteteve kundër terrorizmit përmes mbështetjes logjistike, shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit mes strukturave të sigurisë.

Reklamë InterMedika

Kreu i diplomacisë ruse foli edhe për luftën kundër trafikut të drogës. Ai iu referua të dhënave të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilave kultivimi dhe prodhimi i opiumit në Afganistan kanë rënë ndjeshëm që nga viti 2022, pas ndalimit të vendosur nga talebanët.

Lavrov tha se, pavarësisht sanksioneve dhe kufizimeve financiare, ekonomia afgane ka vijuar të funksionojë dhe se janë hapur dhjetëra kapacitete të reja prodhuese. Ai citoi gjithashtu shifra për rritjen e tregtisë së jashtme të vendit.

Megjithatë, ministri rus pranoi se situata humanitare mbetet e rëndë. Sipas vlerësimeve të OKB-së të cituara prej tij, miliona afganë rrezikojnë pasiguri ushqimore gjatë dimrit, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë ka nevojë për ndihmë humanitare.

Lavrov tha se Rusia do të vazhdojë dërgesat humanitare në Afganistan dhe paralajmëroi se një tjetër kontingjent ndihmash pritet të mbërrijë në vend gjatë muajve të ardhshëm.