Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, shprehu mbështetjen për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar zgjerimin si një projekt që i përket të gjithë kontinentit dhe jo vetëm marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit.
Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare që po zhvillohet në Tiranë, Schieder e nisi fjalën me nota humori, duke iu referuar edhe komenteve të mëparshme të kryeministrit Edi Rama.
“Është ditë shumë e bukur për të qenë me ju. Siç tha kryeministri, të mërzitesh prej Shqipërisë nuk ndodh dot, sepse ofron kaq shumë mundësi, madje edhe politika ofron kaq shumë”, tha ai.
Schieder përmendi bregdetin dhe malet shqiptare, përpara se të shtonte me humor se nuk kishte ardhur në Tiranë “për të bërë reklama turistike”.
Në qendër të mesazhit të tij ishte zgjerimi i Bashkimit Europian. Sipas eurodeputetit, ky proces lidhet me vizionin e një Europe të bashkuar që u forcua pas ndryshimeve historike të vitit 1989.
“Arsyeja kryesore pse jemi përfshirë në procesin e zgjerimit është sepse besoj që zgjerimi i BE-së është diçka që e meriton gjithë kontinenti dhe ajo që ne kemi ëndërruar në ’89. Dua të jap edhe unë kontributin për të finalizuar këtë moment historik”, deklaroi Schieder.
Raportuesi i PE-së vuri theksin edhe te mbështetja e lartë që integrimi europian gëzon mes qytetarëve shqiptarë, duke deklaruar se rreth 95% e popullsisë është në favor të Bashkimit Europian.
Ai iu referua gjithashtu Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, duke theksuar rëndësinë që Shqipëria ka marrë në procesin aktual të zgjerimit.
“Ky nuk është thjesht projekt i Tiranës apo Brukselit”, tha Schieder, duke bërë thirrje që konferenca të shërbejë për shkëmbimin e ideve dhe forcimin e bashkëpunimit mes parlamenteve europiane.
Konferenca në Tiranë është konceptuar pikërisht si një platformë për dialogun parlamentar mbi zgjerimin, reformat dhe të ardhmen europiane të vendeve kandidate. Në të marrin pjesë përfaqësues nga parlamentet e vendeve të BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe vendeve kandidate.
Në përfundim, Schieder e lidhi integrimin e Shqipërisë me nevojën për një Europë më të bashkuar në një periudhë tensionesh dhe pasigurish ndërkombëtare.
“Ekziston një vlerë madhore në këtë kohë trazirash. Ia vlen të theksohet vlera e Europës së bashkuar dhe Shqipëria është pjesë e kësaj Europe”, përfundoi ai.


