×
Thursday, June 25, 2026

Ankaraja pret Samitin e NATO-s, 56 mijë forca sigurie dhe 3 mijë gazetarë të akredituar

June 24, 2026


Turqia po përgatitet të presë Samitin e 36-të të NATO-s, i cili do të zhvillohet në Ankara më 7 dhe 8 korrik, me pjesëmarrjen e liderëve të të 32 vendeve anëtare të Aleancës, dhjetëra të ftuar ndërkombëtarë dhe qindra zyrtarë të lartë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Anadolu, për mbulimin e samitit kanë aplikuar për akreditim afro 3.000 gazetarë, operatorë televizivë, fotografë dhe përfaqësues të mediave nga e gjithë bota.

Për garantimin e sigurisë së aktivitetit do të angazhohen gjithsej 56.288 efektivë, mes tyre 48.841 punonjës policie dhe 7.447 pjesëtarë të xhandarmërisë. Po ashtu, 639 specialistë do të monitorojnë hapësirën kibernetike për të parandaluar sulmet dhe kërcënimet ndaj sigurisë.

Pjesëmarrësit do të shërbehen përmes tre aeroporteve: Aeroportit Esenboga të Ankarasë, Bazës Ajrore Murted dhe një aeroporti tjetër të caktuar posaçërisht për operacionet e samitit.

Takimet e liderëve do të zhvillohen me dyer të mbyllura dhe sipas rregullave të konfidencialitetit të NATO-s. Mediat do të kenë akses vetëm në momentet hapëse të samitit, kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet të paraqesë agjendën dhe temat kryesore të diskutimit.

Për menaxhimin e komunikimit dhe koordinimin mediatik, Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë ka ngritur një grup të posaçëm pune që do të mbikëqyrë akreditimet, diplomacinë publike dhe komunikimin në rast krizash.

Ndërkohë, transmetuesi publik turk TRT do të sigurojë mbulim global të samitit përmes 80 kamerave të vendosura në 26 lokacione të ndryshme.




Comments are closed.