Krizë mes Polonisë dhe Ukrainës, Nawrocki i heq Zelenskyt dekoratën më të lartë shtetërore
Marrëdhëniet mes Polonisë dhe Ukrainës po përballen me krizën më të thellë që prej nisjes së pushtimit rus në vitin 2022, pas vendimit të presidentit polak Karol Nawrocki për t’i hequr presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dekoratën më të lartë shtetërore të Polonisë, Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë.
Vendimi erdhi pas polemikave të shkaktuara nga miratimi i Zelenskyt që një njësi speciale e ushtrisë ukrainase të mbajë titullin “Heronjtë e UPA-së”, një referencë ndaj Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase (UPA).
Zelensky reagoi duke ia kthyer dekoratën presidentit polak përmes një shërbimi postar privat. Ai falënderoi popullin polak për mbështetjen ndaj Ukrainës, por kritikoi vendimin e Varshavës, duke lënë të kuptohet se ai ishte i motivuar politikisht.
“Nuk do të ketë më mosmarrëveshje. Mendonim se kjo dekoratë i dedikohej popullit ukrainas dhe ushtrisë sonë”, deklaroi Zelensky, duke kujtuar se mes përfituesve të saj kanë qenë edhe figura historike si Katerina II, Benito Mussolini dhe ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder.
Në një intervistë për televizionin ukrainas 1+1, Zelensky akuzoi Nawrockin se po e përdor çështjen për arsye politike të brendshme.
“Presidenti Karol Nawrocki po lufton për pozicionin e partisë së tij në garë me kryeministrin Donald Tusk. Kjo është rruga e gabuar dhe mendoj se do të përfundojë keq”, tha ai.
Reagimet në Ukrainë ishin të menjëhershme. Ish-presidentët Leonid Kuçma, Viktor Jushçenko dhe Petro Poroshenko njoftuan se do t’i kthenin dekoratat polake, ndërsa të njëjtin veprim e ndërmorën edhe kreu i Zyrës së Presidentit, Kyrylo Budanov, si dhe ministri i Jashtëm Andriy Sybiha.
“Nawrocki po shkatërron arritjet pozitive të viteve të fundit. Nuk është rastësi që ai duartrokitet në Moskë”, deklaroi Sybiha, duke paralajmëruar një përgjigje reciproke nga Kievi.
Në qendër të përplasjes qëndron figura e UPA-së. Në Ukrainë, ajo konsiderohet simbol i rezistencës kundër regjimit sovjetik dhe zë një vend të rëndësishëm në kujtesën historike kombëtare. Ndërsa në Poloni, UPA akuzohet për masakrat ndaj popullsisë polake në Volhinia gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku sipas vlerësimeve u vranë rreth 100 mijë civilë polakë. Në vitin 2016, parlamenti polak i cilësoi këto krime si gjenocid.
Përplasja rrezikon të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat deri tani kanë qenë ndër aleatët më të ngushtë në mbështetjen e Ukrainës përballë agresionit rus.







