Rutte thirrje aleatëve për më shumë ndihmë ndaj Ukrainës: Vonesat kushtojnë jetë njerëzish

08 Sep 2026 21:48
Shpërndaje:

Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës u mblodh këtë të martë për të diskutuar nevojat urgjente ushtarake të Kievit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u bëri thirrje vendeve aleate të rrisin mbështetjen për Ukrainën.

Gjatë takimit virtual, Rutte paralajmëroi se çdo vonesë në dërgimin e ndihmës ushtarake ka pasoja të drejtpërdrejta në terren dhe kushton jetë njerëzish.

“Ndërsa punojmë për modernizimin e aleancës dhe ndërtimin e një Europe dhe një NATO-je më të fortë, ne duhet të vazhdojmë të mbështesim sigurinë e Ukrainës dhe t’i ndihmojmë ata të mbrohen nga sulmet brutale të Rusisë”, deklaroi Rutte.

Reklamë Ola

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se situata mbetet e rëndë për popullsinë civile ukrainase, duke thënë se numri i civilëve të vrarë nga sulmet ruse ka arritur nivelin më të lartë që prej majit të vitit 2022.

“Vonesat thjesht kushtojnë jetë njerëzore”, paralajmëroi ai, duke kërkuar që vendet aleate të përshpejtojnë mbështetjen për Kievin.

Reklamë InterMedika

Rutte kujtoi se në Samitin e Ankarasë aleatët premtuan 70 miliardë euro, rreth 81 miliardë dollarë, në mbështetje të Ukrainës. Megjithatë, sipas tij, për përmbushjen e këtij angazhimi do të nevojitet edhe ndihmë shtesë dypalëshe nga vendet anëtare.

“Kombet duhet të bëjnë më shumë. Besoj se nuk kemi zgjidhje tjetër”, theksoi Rutte.

Takimi i Grupit të Kontaktit vjen në një moment kur Ukraina vazhdon të përballet me sulme të intensifikuara ruse dhe kërkon nga partnerët perëndimorë më shumë kapacitete ushtarake për të forcuar mbrojtjen e saj.