×
Sunday, April 2, 2023

Rumania mbështet rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE

April 10, 2021



Kryenegociatori i Shqipërisë për anëtarësimin në BE, Zef Mazi, me rang ministër shteti, zhvilloi një vizitë pune të nivelit të lartë në Rumani në datat 7-9 prill, ku mori mbështetjen e plotë dhe të vazhdueshme të Rumanisë për Shqipërinë në rrugën integruese në BE.

Sipas njoftimit për shtyp, kryenegociatori Mazi zhvilloi bisedime me ministrin e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Dr. Bogdan Aurescu, me ministrin e Drejtësisë, Stelian-Cristin Ion, me Këshilltarin për Politikë të Jashtme të Presidentit të Rumamisë, Leonard Orban (i cili ka qenë edhe Komisioneri i parë i Rumanisë në Komisionin Europian), me Këshilltarin Diplomatik të Kryeministrit të Rumanisë, Cosmin Onisii, me Sekretaren e Shtetit të Ministrisë të Punëve të Jashtme të Rumanisë për Europën, Julia Magtei dhe Sekretarin e Shtetit për Politikat Globale dhe Strategjinë, Cornel Feruta, me Sekretarin e Shtetit të Ministrisë të Punëve të Brendshme Aurelioan Paduraru, me zv-Presidentet e Komisioneve respektive të Parlamentit dhe të Senatit rumun, si dhe me ish-kryenegociatorin e Rumanisë per aderimin në BE, S. Pushkash.

Takimet dhe konsultimet e nivelit të lartë në Rumani zhvillohen një vit pas miratimit unanim nga Këshilli Europian në mars 2020 i vendimit të BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Republikën e Shqipërisë. Konsultimet ofruan një mundësi shumë të mirë për shkëmbim direkt dhe thelbësor mendimesh, në nivel të lartë ekzekutiv dhe legjislativ, mbi punën, përpjekjet dhe progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit, mbi forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve me fokus për të mësuar dhe përfituar nga përvojat e Rumanisë në procesin e anëtarësimit në BE në kohën kur Rumania ka qenë në fazën që është sot Shqipëria.

Në të gjitha takimet, në mënyrë të qartë, pa ekuivok, mikpritësit rumunë ritheksuan mbështetjen konkrete dhe konstante të Rumanisë për avancimin e procesit të zgjerimit të BE-së, me theksin në valencat strategjike të kësaj politike. Kjo është thelbësore për transformimin demokratik të qëndrueshëm, per prosperitetin dhe stabilitetin e rajonit.

Po ashtu, u ritheksua mbështetja e plotë, e vazhdueshme e Rumanisë për Shqipërinë në rrugën integruese në BE, u shpreh hapur nga të gjithë bashkëbiseduesit gatishmeria e plotë e Rumanisë për të dhënë gjithë ndihmën në përgjithësi dhe në veçanti në gjithë fushat që Shqipëria gjykon me interes.

Zyrtarët rumune përshëndetën orientimin strategjik, të vendosur të Shqipërisë për realizimin e objektivit të integrimit europian, për vijimin me ritme të plota, pa asnjë ulje vëmendje dhe fokusi te reformat në gjithë fushat, në forcimin e shtetit ligjor, të sigurisë të qytetarëve, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.

Zyrtarët shprehën gatishmëri për forcimin dhe dinamizimin e dialogut politik dypalësh në nivel të lartë dhe atë sektorial, atë parlamentar, për forcimin e marrëdhënieve ekonomike sepse aty ka potenciale të pashfrytëzuara, për të përfunduar ndonjë çështje ende pezull dhe kuadrin nënligjor për pakicat kombëtare.

Në takime u shkëmbyen mendime mbi situatat dhe dinamikat gjeopoltike në Europë, në rajonin tonë dhe më gjerë. U theksua rëndësia që i jepet bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, vështirësitë e ndryshme në rrugën e tij drejt BE-së. Si shprehje konkrete e mbështetjes së Rumanisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor u theksua edhe letra që Ministri rumun i Punëve të Jashtme, Bogdan Aurescu, së bashku me 8 Ministra të tjerë të vendeve anëtare të BE, i drejtuan Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrel, lidhur me nevojën për diskutim strategjik për Ballkanin Perëndimor dhe përfshirjen në axhendën e Këshillit të diskutimit mbi këtë çështje në mbledhjen e ardhshme të Këshillit në prill 2021.

Kryenegociatori Mazi shprehu vlerësim të veçantë për këtë inisiativë, nënvizoi rëndësinë e mbajtjes në vëmendje në nivel europian të problematikës së Ballkanit Perëndimor, si pjesë e integruar e procesit të konsolidimit të unitetit dhe stabilitetit të kontinentit europian dhe e një të ardhme të përbashkët europiane.

Ai i shprehu mirënjohjen palës rumune për gjithë mbështetjen e saj, për gatishmërinë për të vijuar të japë ndihmesa, për sigurinë që na u dha se Shqipëria mund të mbeshtetet tek Rumania gjatë rrugëtimit në BE.

Në takime u shprehn vlerësime për angazhimin e autoriteteve të Shqipërisë për avancimin e reformave në të gjitha fushat, duke marrë përsipër, në mënyrë të pakthyeshme dhe konsensuale, anëtarësimin në BE, si një projekt madhor historik, qe gezon mbështetjen e gjerë të shoqërinë shqiptare.

Po ashtu u nënvizua rëndësia e vijimit të reformave në fushat thelbësore të shtetit të së drejtës për mbështetjen e dinamikës së përgjithshme të negociatave të anëtarësimit.

Respektimi i paketës së vlerave europiane përfaqëson dimension themelor. Ndjekja e saj gjatë gjithë procesit të negociatave do të sigurojë premisa të forta për zbatimin ne vend me efikasitet të politikave evropiane.

Po ashtu u njoh dhe u ritheksua përgëzimi për progresin në gjithe fushat dhe u inkurajua qe të vijojnë përpjekjet për bilanc sa me solid të progreseve në fusha kyçe, te raportimit te tyre si dhe per bashkepunim te ngushte me shtetet anetare dhe Komisonin Europian.

Një takim shumë të frytshëm u zhvillua me Ministrin e Drejtësisë të Rumanisë dhe me stafin e tij, me fokus njohjen me përvojën rumune për përgatitjen e procesit të negociatave për kapitullin 23.

Ministri përshëndeti progresin e Shqipërisë dhe theksoi gatishmërinë e të gjitha strukturave të kësaj Ministrie për të asistuar Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë në procesin e negocimit për kapitullin 23.

Kryenegociatori theksoi peshën specifike që mbart kapitulli 23 në procesin e integrimit europian, si pjesë e grupit të kapitujve themelorë. Zëvëndësministrja e Drejtësisë njohu palën rumune me zhvillimet e fundit të reformës transformuese në sistemin e drejtësisë, me luftën kundër korrupsionit si dhe me përgatitjen e strukturës negociatore në Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë.

Pala rumune parashtroi vështirësitë e hasura nga Rumania gjatë procesit të negocimit, nevojën e domosdoshme për rritjen e kapaciteteve administrative për t’u përballur me sfidat e këtij procesi.

Po ashtu u shkëmbyen mësimet e nxjerra në kuadër të luftës kundër korrupsionit, të reformimit të sistemit të drejtësisë në Rumani, si parakushte për të avancuar me procesin e integrimit.

Në takim u vendosën kontakte të vlefshme me drejtues të strukturave kyçe të Ministrisë së Drejtësisë për vijimin e diskutimeve në nivel teknik midis stafeve respektive të dy ministrive.

Kryenegociatori zhvilloi konsultime të rëndësishme në Ministrinë e Brendshme rumune, në kuadër të kapitulit 24, me Sekretarin e Shtetit të Rumanisë dhe me Drejtorët e Departamentave të bashkëpunimti ndërkombëtar, përfaqësues të policisë dhe të xhandarmërisë rumune që kanë marrë pjesë në bisedimet për anëtarësimin e Rumanisë ne BE.

Ekspozeja e palës rumune ishte shume e vlefshme, pasi ajo shtjelloi sfidat e hasura gjatë procesit të negociatave. Në takim u rikonfiurmua klima shume e mirë e bashkëpunimit dhe u shpreh hapur vullneti dhe gatishmëria për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral dhe ne nivel teknik, me fokus trajnimin policor dhe shkëmbimin e ndërsjelltë të eksperiencës ne fushën e sigurisë publike.

“Vizita të tilla të shpeshta i shërbejnë përgatitjes sa më mirë të Shqipërisë për negociatat me BE”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments