Ministri britanik i Biznesit, Jonathan Reynolds, ka deklaruar se mbështet përpjekjet e kryeministrit Andy Burnham për marrëdhënie më të ngushta me Bashkimin Evropian, një muaj pasi paralajmëroi se rihapja e debateve për Brexit-in krijon pasiguri për bizneset.
Në një intervistë për Sky News të martën, Reynolds u pyet nëse vendosja e marrëdhënieve me Evropën në krye të agjendës qeveritare po shtonte pikërisht këtë pasiguri.
“Nuk jam në kundërshtim me kryeministrin”, u përgjigj ai.
Gjatë konferencës së Partisë Laburiste, Reynolds i kishte thënë POLITICO-s se rikthimi në bashkimin doganor të BE-së do të kërkonte përafrim në një sërë çështjesh rregullatore. Ai kishte paralajmëruar gjithashtu se debatet e vazhdueshme mbi çështjet kushtetuese shkaktojnë pasiguri të madhe për sipërmarrjet.
Të martën, ministri mbrojti qëndrimin e programit zgjedhor laburist për përmirësimin e marrëdhënieve tregtare me pjesën tjetër të botës, por tha se raportet me BE-në nuk mund të shmangen në planifikimin afatgjatë.
“Kur flasim për dhjetë vitet e ardhshme, nuk mund ta shmangim këtë çështje. Pasiguria është aty sido që të jetë. Unë dua sa më pak pasiguri për biznesin britanik”, deklaroi Reynolds.
Burnham pritet të marrë pjesë në samitin BE–Mbretëri e Bashkuar më 20 nëntor në Bruksel, ku do të synojë zgjidhjen e problemeve që lidhen me marrëveshjet ekzistuese pas Brexit-it.
Megjithatë, samiti nuk pritet të trajtojë çështjet më të gjera mbi të ardhmen e marrëdhënieve të Britanisë me Unionin.


