×
Sunday, March 23, 2025

Rama: Rreth 800 mijë vizitorë në parqet kombëtare për 4 muaj

June 12, 2024


Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e Kalendarit Turistik të Eventeve përmes aplikacionit TEA 2.0., ku theksoi se “aplikacioni është pasqyrë për të parë atë që ndodh në realitet dhe në realitetin e turizmit kemi përfshirë një komponent, ajo e aktivitetit të përditshëm kulturor e artistik si hapësirë që i ofron turistëve e vizitorëve mundësira përtej plazhit e diellit”.

Në fjalën e tij Rama tha se “një shifër kam dëshirë ta ndaj me ju, një shifër domethënëse jo shumë e paimagjinueshme deri pak vite më parë, shumë kuptimplotë për çfarë po përpiqemi të bëjmë, por edhe shumë orientuese si do të shkojë më tej. Monumentet historike dhe sitet arkeologjike vetëm në 4 muajt e parë të 2024 kanë tërhequr 182 mijë vizitorë, parqet tona kombëtare e natyrore janë vizituar nga rreth 800 mijë vizitorë”.

“Këto janë shifra marramendëse po të kemi parasysh se nga jemi nisur, por se nga jemi nisur është gjithmonë e më pak e rëndësishme për ne. Gjithmonë e më shumë e rëndësishme për ne është se ku duam të shkojmë dhe për këtë kemi fiksuar edhe marrjen e vitit 2030 si një pikë ku jo vetëm transformimi i deritanishëm i vendit do të bëhet i pakthyeshëm, po ku Shqipëria pa asnjë dyshim do të rrezatojë në këtë rajon shëmbëlltyrën e një vendi që është Europa e Ballkanit”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ju sot u njohët me verisonin e ri të aplikacionit, i cili është një inovacion i rëndësishëm në fushën e zhvillimit të turizmit dhe që do të vazhdojë të përmirësohet apo pasurohet më tutje edhe me një gjenerator të inteligjencës artificiale, i cili do të bëjë të mundur turistëve e vizitorëve që të bëjmë personalizimin e planeve të tyre të udhëtimit dhe po ashtu që të kenë në dispozicon harta tredimensionale dhe opsione të reja për të pasur një përvojë sa më të plotë të vizites së tyre në vendin tonë”.

“Por nuk vetëm ky aspekt, sepse ajo që është e rëndëisshme të theksohet se aplikacioni në fund të fundit është një pasqyrë për të parë atë që ndodh në realitet dhe në realitetin e zhvillimit të turizmit ne kemi përfshirë një komponente që çdo vit bëhet më e pranishme”, nënvizoi Rama, duke shtuar që është komponetja e aktivitetit të përditshëm kulturor dhe artistik, si një hapësirë që i ofron turistëve dhe vizitorëve mundësira përtej plazhit, diellit rërës, pushimit, hotelit.

Kryeministri Rama tha se “u ofron edhe mundësinë e marrjes me vete nga Shqipëri jo vetëm të një shije të mirëlidhur me ato që thashë, por edhe të një dije më shumë mbi  vendin tonë për të pasur shumë më tepër për të mbajtur mend nga vendi ynë dhe për të pasur shumë më tepër për të folur për vendin tonë”.

Nuk diskutohet, shtoi Rama, që ky aspekt nxit edhe mbështet edhe skenën tonë të krijimtarisë kulturore dhe artistike, ashtu sikundër patjetër, motivon më shumë ata që janë të angazhuar drejtpërdrejt në këtë industri të re të Shqipërisë që investojnë dhe punojnë me shumë pasion dhe me shumë mund për ta ngritur më tej sektorin.

Kryeministri Rama u shpreh se “më tutje akoma ne jemi shumë të vetëdijshëm ajo që duhet më shumë është më shumë se ajo që është bërë në sensin Shqipëria e 2030 do të jetë një vend dhe do të jetë një vend kampion, pa diskutim, i këtij rajoni në turizëm, do jetë stabilizuar përgjithnjë në Champions League-n e Mesdheut, por edhe që do të ketë të plotësuara të gjitha ato pjesë të mozaikut që sot ende mugojnë”.




Comments are closed.