×
Friday, July 10, 2026

Rama për CNN Turk: Shqipëria do të presë Samitin e ardhshëm të NATO-s, Erdogan është një mik i afërt

July 10, 2026


Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për CNN Turk, ku ka folur për rezultatet e Samitit të NATO-s në Ankara, marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe Turqisë, situatën në Ballkan, bashkëpunimin në mbrojtje dhe projektin turistik në Zvërnec.

Rama u shpreh se samiti konfirmoi vendosmërinë e vendeve evropiane të NATO-s për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë.

“Nuk mendoj se kishte një vendim të vetëm më të rëndësishëm. Samiti tregoi se krahu evropian i NATO-s ka ndërtuar një strukturë shumë të fortë ushtarake dhe është i vendosur të modernizojë forcat e tij për t’iu përgjigjur kërcënimeve”, tha ai.

Duke folur për marrëdhëniet me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, Rama e cilësoi atë një mik të afërt dhe partner strategjik të Shqipërisë.

“Marrëdhënia jonë është vëllazërore. Ai është një mik shumë, shumë i ngushtë. Është një partner i mrekullueshëm dhe, më e rëndësishmja, ka bërë përpjekje të mëdha për të thelluar marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për t’u dhënë atyre një karakter vërtet strategjik”, u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, Erdogan luan një rol të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe ndjek me vëmendje zhvillimet në rajon.

Kryeministri konfirmoi gjithashtu se Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të ardhshëm të NATO-s, duke sqaruar se njoftimi është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte.

“Sekretari i Përgjithshëm deklaroi në konferencën për shtyp se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri. Arsyeja e vetme pse kjo nuk u përfshi në komunikatë është se ende ka diskutime për orarin mes palëve”, tha Rama.

Në intervistë ai vlerësoi edhe partneritetin me Turqinë në fushën ushtarake dhe shprehu gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Në fushën ushtarake kemi bashkëpunim shumë të mirë. Sigurisht, do të mirëprisnim më shumë kompani turke që të vinin dhe të zhvillonin produktet e tyre me ne”, deklaroi ai.

I pyetur për debatin rreth projektit turistik në Zvërnec, Rama tha se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe se kritikat duhet të mbështeten në fakte.

“Ne gjithmonë i mirëpresim kritikat sepse jemi një shoqëri e lirë. Por ka një problem të vogël: ende nuk ka një projekt për të kritikuar. Projekti është ende në fazën e përgatitjes”, u shpreh ai.

Kryeministri komentoi edhe polemikat për përfshirjen e Jared Kushner në projekt, duke theksuar se çështja është politizuar dhe se vendimet do të merren mbi bazën e ekspertizës teknike.

“Kur bëhet fjalë për detaje të tilla teknike, vendimi nuk mund t’i lihet vlerësimit të menjëhershëm të publikut. Kur të ketë një projekt konkret, vlerësimi i publikut, sigurisht, do të jetë shumë i rëndësishëm”, përfundoi Rama në intervistën për CNN Turk.




Comments are closed.