Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime në mënyrën e funksionimit të inspektorateve shtetërore, duke theksuar se kontrollet ndaj bizneseve duhet të kenë karakter parandalues dhe jo ndëshkues. Sipas tij, inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente trupi, të lidhura në kohë reale me një qendër monitorimi.
Deklaratat u bënë gjatë konferencës “Invest & Comply in Albania – Inspektimi në shërbim të biznesit dhe investimeve”, të organizuar në kuadër të edicionit të 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës.
Në aktivitet morën pjesë ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, drejtues të inspektorateve shtetërore, ekspertë dhe përfaqësues të biznesit.
Kryeministri theksoi se qëllimi i reformës është përmirësimi i marrëdhënieve mes administratës dhe sipërmarrjes, duke reduktuar burokracitë dhe praktikat abuzive gjatë kontrolleve.
“Qëllimi kryesor i Inspektoratit të Përgjithshëm dhe i të gjitha trupave inspektuese duhet të jetë parandalimi. Nuk është qëllimi ynë të kapim me patjetër në gabim biznesin. Qëllimi ynë është që biznesi të përmirësojë në vijimësi pozicionin e vet në raport me ato standarde që duhet të përmbushë”, deklaroi Rama.
Ai paralajmëroi gjithashtu ndryshime në procedurat dhe mënyrën e identifikimit të inspektorëve gjatë ushtrimit të detyrës.
“Duhet të marrin fund kontrollet e befasishme. Për këtë arsye, të gjithë inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm së shpejti do të vishen me uniformë civile, me kostum dhe kravatë. Të gjithë inspektorët dhe inspektoret do të kenë kamera inteligjente të trupit, që do të jenë të lidhura në kohë reale me qendrën”, u shpreh kryeministri.
Sistem i ri inspektimesh gjatë vitit 2027
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se gjatë vitit 2027 synohet ngritja e një sistemi të ri inspektimesh, i cili do të shmangë mbivendosjen e kompetencave, kontrollet e zgjatura dhe përsëritjen e panevojshme të tyre në të njëjtat biznese.
Sipas ministres, reforma synon uljen e barrës administrative, thjeshtimin e procedurave dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investimet.
“Ne synojmë të reduktojmë barrën e raportimit, të identifikojmë pikat problematike që biznesi has në ofrimin e shërbimeve dhe të analizojmë procedurat e inspektimit, në mënyrë që reforma të përmirësojë punën e inspektorateve”, deklaroi Ibrahimaj.
Ajo theksoi se përmirësimi i standardeve dhe garantimi i konkurrencës së ndershme do të jenë veçanërisht të rëndësishme për bizneset shqiptare në kuadër të integrimit në tregun e përbashkët evropian.
Rama: Do të nisim tryeza konsultimi me bizneset
Kryeministri njoftoi gjithashtu nisjen e një cikli takimesh me përfaqësues të sektorëve të ndryshëm ekonomikë, për të identifikuar problematikat që lidhen me procedurat administrative dhe kostot burokratike.
“Ne do të nisim një cikël tryezash me të gjithë sektorët dhe me të gjitha kategoritë e sipërmarrjes për të marrë drejtpërdrejt nga sipërmarrja shqetësime dhe ide për të ulur presionin e barrës së burokracisë”, tha Rama.
Ai vlerësoi se digjitalizimi i shërbimeve publike dhe përdorimi i inteligjencës artificiale mund të ndihmojnë në rritjen e transparencës dhe kufizimin e praktikave korruptive.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri foli edhe për zhvillimet ekonomike dhe mundësitë për politika të reja sociale, përfshirë mbështetjen për strehimin e çifteve të reja dhe studentëve, si dhe mundësinë e bashkëfinancimit të qirave.
Siguria ushqimore, mjedisi dhe marrëdhëniet e punës në fokus
Konferenca u organizua në tre panele tematike, të përqendruara te siguria ushqimore, mjedisi dhe klima, si dhe marrëdhëniet e punës.
Gjatë diskutimeve u trajtuan standardet e sigurisë ushqimore dhe gjurmueshmërisë së produkteve, detyrimet mjedisore të sipërmarrjeve, investimet e qëndrueshme, siguria në vendin e punës dhe procedurat për punësimin e shtetasve të huaj.
Aktiviteti synoi gjithashtu informimin e investitorëve të huaj mbi kuadrin ligjor shqiptar, detyrimet që duhet të përmbushin bizneset dhe procedurat e inspektimit.
Reforma e paralajmëruar synon të ndryshojë qasjen e institucioneve kontrolluese ndaj sipërmarrjes, duke vendosur theksin te parandalimi i shkeljeve, transparenca dhe respektimi i standardeve ligjore.


