Rama mbledh të premten Grupin Parlamentar të PS-së dhe kabinetin qeveritar
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të premte Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar në një mbledhje të zgjeruar, ku pritet të diskutohen prioritetet e punës së qeverisë dhe axhenda politike e mazhorancës.
Takimi do të zhvillohet në orën 09:30, në Pallatin e Brigadave, me pjesëmarrjen e ministrave dhe deputetëve socialistë.
Mbledhja vjen rreth një muaj pas takimit të fundit të zgjeruar të Partisë Socialiste, gjatë të cilit u analizua ecuria e punës së qeverisë, u vlerësua zbatimi i reformave dhe u përcaktuan objektivat për vijimin e mandatit qeverisës.
Burime nga mazhoranca bëjnë me dije se në fokus të diskutimeve pritet të jenë ecuria e projekteve prioritare, koordinimi i punës mes qeverisë dhe grupit parlamentar, si edhe çështje të tjera që lidhen me axhendën politike të javëve në vijim.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje mbi rendin e ditës apo temat konkrete që do të trajtohen gjatë mbledhjes.







