×
Friday, July 10, 2026

Rama: Eurodeputetët votuan për Shqipërinë, opozita kundër

July 9, 2026


Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asocim Shqipëri–Bashkimi Evropian nuk arriti të miratojë një rezolutë të përbashkët në mbledhjen e zhvilluar në Strasburg, pasi deputetët e Partisë Demokratike votuan kundër draftit përfundimtar.

Dokumenti mori mbështetjen e deputetëve të Partisë Socialiste dhe të eurodeputetëve, ndërsa opozita shqiptare nuk i dha votat e saj.

Pas votimit reagoi kryeministri Edi Rama, i cili kritikoi qëndrimin e opozitës, duke theksuar se eurodeputetët mbështetën Shqipërinë, ndërsa deputetët e pakicës votuan kundër.

“Pra, të gjithë eurodeputetët, madje edhe dikush që erdhi dhe protestoi në Shqipëri, votuan për Shqipërinë së bashku me deputetët e Partisë Socialiste. Sepse Shqipëria nuk ndalon. Ndërsa deputetët e pakicës në Shqipëri votuan kundër dhe u larguan për të shkuar në protestë. Sepse Partia Socialiste nuk ndalet”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Sipas socialistëve, tekstit të dokumentit të përgatitur nga Sekretariati i Komitetit Parlamentar iu bashkëngjitën edhe Rezoluta e Parlamentit Evropian dhe rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, çka, sipas tyre, e bënte të panevojshme paraqitjen e amendamenteve të tjera.

Mosmiratimi i një rezolute të përbashkët vjen në një moment kur Shqipëria vijon negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa procesi i integrimit mbetet një nga temat kryesore të debatit politik mes mazhorancës dhe opozitës.




Comments are closed.