Kryeministri Edi Rama e ka nisur me batuta fjalën e tij në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, që po zhvillohet sot në Tiranë.
Përpara përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve europiane, Rama njoftoi se kishte zgjedhur të fliste në anglisht, duke bërë një koment me humor për përkthyesit.
“Po flas në anglisht, pasi nuk u kam shumë besim përkthyesve”, tha Rama, ndërsa më pas kërkoi ndjesë për vonesën me të cilën mbërriti në konferencë.
Kryeministri shpjegoi se vonesa lidhej me takimin e zhvilluar më herët me Presidentin Bajram Begaj, në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Ju garantoj se nuk është model sjelljeje, por ndodhi sepse patëm një takim me presidentin dhe na u desh pak më shumë kohë. U ndjeva edhe më fajtor kur ju pashë duke pritur në atë dhomë të errët”, u shpreh Rama.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishte zhvilluar mëngjesin e sotëm në Pallatin e Brigadave dhe përfundoi pas rreth një ore. Pas saj, Rama iu drejtua konferencës kushtuar procesit të zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimit të Shqipërisë.
Gjatë fjalës, kryeministri u ndal edhe te mbështetja e shqiptarëve për procesin e integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria ka një avantazh: “ne ende e dashurojmë BE-në”.
Konferenca ka në fokus rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit, reformat dhe rolin e parlamenteve në procesin e zgjerimit. Në të marrin pjesë edhe kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ambasadorja e BE-së Sofia Moreira de Sousa dhe raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder


