Qeveria ka miratuar një vendim që përmirëson trajtimin financiar të efektivëve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, duke garantuar përfitime më të favorshme për punën në kushte të veçanta.
Lajmin e bëri të ditur Besfort Lamallari, i cili theksoi se vendimi parashikon një trajtim më të drejtë dhe motivues për orët shtesë, punën gjatë natës, në ditët e pushimit dhe festat zyrtare, si edhe vendos standarde të qarta për mbrojtjen e efektivëve nga mbingarkesa në punë.
Sipas Lamallarit, ky është një tjetër hap në përmbushjen e angazhimit të qeverisë për të mbështetur punonjësit e këtij shërbimi, të cilët përballen çdo ditë me situata të rrezikshme në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam vendimin që përmirëson trajtimin financiar të efektivëve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, duke garantuar një trajtim më të drejtë dhe motivues për orët shtesë, punën gjatë natës, në ditët e pushimit dhe festat zyrtare, si edhe duke vendosur standarde të qarta për mbrojtjen e tyre nga mbingarkesa në punë”, u shpreh Lamallari.
Ai shtoi se vendimi përbën një hap domethënës në forcimin e këtij shërbimi, duke vlerësuar përkushtimin e efektivëve që janë në vijën e parë të përballjes me zjarret dhe situatat emergjente.
“Përkushtimi i tyre nuk njeh orar e as vështirësi, ndaj ne kemi detyrimin e përbashkët t’u gjendemi gjithmonë pranë. RESPEKT!”, përfundoi Lamallari.