Kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni, prezantuan sot një plan të ri për rekrutimin, vlerësimin dhe promovimin e punonjësve të administratës publike. Një nga ndryshimet kryesore të propozuara është vendosja e një provimi unik kombëtar për kandidatët që synojnë të punësohen në administratë.
Sipas Ramës, testimi do të krijojë një standard të përbashkët për vlerësimin e njohurive dhe aftësive, ndërsa kandidatët që e kalojnë do të marrin një certifikatë të vlefshme për katër vjet.
Kalimi i provimit nuk garanton punësim
Certifikata do t’u mundësojë kandidatëve të marrin pjesë në konkurset për pozicionet përkatëse. Kryeministri sqaroi se ajo nuk siguron automatikisht një vend pune, por synon të krijojë një bazë më të drejtë dhe më të besueshme për konkurrimin.
Provimi parashikohet të organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, e cila, sipas Ramës, po përshtat modelin e provimeve të Kembrixhit. Ai përmendi ruajtjen e sekretit të testeve, standardin e barabartë për kandidatët dhe përdorimin e teknologjisë në fazën e parë.
“Një i ri, kudo që jeton në Shqipëri, nuk duhet ta shohë hyrjen në administratë si një derë për të cilën duhet të gjejë dikë që t’ia hapë. Ai duhet ta dijë se ka një rrugë të qartë, ku mund të provojë atë që di dhe atë që është i aftë të bëjë”, u shpreh Rama.
Vlerësimi dhe promovimi sipas rezultateve
Gjatë prezantimit, kryeministri tha se mungesa e një sistemi të qartë për dallimin dhe promovimin e punonjësve sipas meritës krijon demotivim brenda institucioneve dhe ndikon në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Ai theksoi se punonjësit që tregojnë përkushtim dhe rezultate duhet të kenë mundësi të vlerësohen dhe të marrin përgjegjësi më të mëdha.
Sipas Ramës, rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës nuk mjaftojnë, nëse administrata nuk arrin të dallojë punonjësit me performancë të shkëlqyer nga ata që përmbushin vetëm detyrimet minimale.
“Këtë dallim nuk duhet ta lëmë në dorën e një drejtuesi apo të një drejtuesi tjetër. Këtë dallim duhet ta bëjë sistemi”, deklaroi ai.
Kryeministri shtoi se e njëjta logjikë duhet të zbatohet edhe për promovimin: aftësia e një punonjësi për të marrë përgjegjësi më të mëdha duhet të identifikohet përmes sistemit të vlerësimit, duke mos u mbështetur vetëm te gjykimi i eprorit.


