Qeveria ka parashikuar 3,9 miliardë lekë për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme në projektbuxhetin e vitit 2027, me përparësi përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit dhe forcimin e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian.
Gjatë prezantimit në komisionin parlamentar, ministri Ferit Hoxha deklaroi se objektivi është mbyllja e kapitujve negociues gjatë vitit të ardhshëm dhe sigurimi i mbështetjes së vendeve anëtare për anëtarësimin e plotë brenda kësaj dekade.
“Ne po punojmë me mendësinë e një anëtari të ardhshëm të BE. Objektivi është përmbushja e detyrimeve të mbetura dhe mbyllja e kapitujve negociues gjatë vitit 2027, forcimi i koordinimit ndërinstitucional dhe sigurimi i mbështetjes së shteteve anëtare”, tha Hoxha.
Më shumë diplomatë në Bruksel
Ministri theksoi se faza përmbyllëse e negociatave kërkon kapacitete profesionale dhe koordinim më të fortë mes institucioneve. Për këtë arsye, buxheti do të mbështesë shtimin e personelit të misionit shqiptar pranë BE-së.
Sipas Hoxhës, personeli do të dyfishohet brenda këtij viti dhe do të shtohet më tej gjatë vitit 2027, në përputhje me ecurinë e negociatave.
“Nuk shkojmë në Bruksel për të recituar, por për të negociuar me BE”, u shpreh ai.
Asistent virtual për shërbimet konsullore
Një tjetër prioritet është modernizimi i shërbimeve për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Ministria synon përmirësimin e aksesit online dhe zhvillimin e një asistenti virtual për informacion dhe orientim konsullor.
Sipas ministrit, asistenti do të jetë i disponueshëm 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, për t’i ndihmuar qytetarët të orientohen mbi shërbimet që u nevojiten.
Në prioritetet e diplomacisë shqiptare për vitin 2027 përfshihen gjithashtu mbështetja për Kosovën dhe shqiptarët në rajon, diplomacia ekonomike dhe forcimi i angazhimit ndërkombëtar.
Diskutimi i projektbuxhetit në komision u zhvillua me pjesëmarrjen e deputetëve socialistë, ndërsa deputetët demokratë e bojkotuan mbledhjen.


