Polonia ofron 15 mijë dollarë për çdo ushtar amerikan, negocion me SHBA për bazë të përhershme

26 Sep 2026 • 12:29
Shpërndaje:

Polonia është e gatshme të paguajë 15 mijë dollarë në vit për çdo ushtar amerikan të stacionuar në territorin e saj, ndërsa Varshava po negocion me Uashingtonin për krijimin e një baze të përhershme ushtarake të SHBA-së.

Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Paweł Zalewski, bëri të ditur se vendi i tij është gjithashtu i gatshëm të mbulojë kostot e infrastrukturës së nevojshme për trupat amerikane.

“Ne do të mbulojmë kostot e infrastrukturës. Gjithashtu po mbulojmë koston e çdo ushtari amerikan të stacionuar në Poloni me 15 mijë dollarë në vit”, deklaroi Zalewski në një intervistë në Uashington.

Reklamë Ola

I pyetur se kush do ta paguajë këtë faturë, zëvendësministri u përgjigj se fondet do të vijnë nga taksapaguesit polakë.

Negociatat me Pentagonin janë përqendruar tashmë te mënyra se si mund të realizohet një prani e përhershme amerikane, përfshirë numrin dhe llojin e forcave, kapacitetet ushtarake dhe vendndodhjet e mundshme.

Reklamë InterMedika

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi më 17 shtator se ishte arritur përparim drejt krijimit të një baze të ushtrisë amerikane në Poloni dhe se, nëse projekti realizohet, vendndodhja mund të bëhet e ditur së shpejti.

Aktualisht, mijëra trupa amerikane ndodhen në Poloni, kryesisht në bazë rotacioni. Varshava synon që një pjesë e kësaj pranie të shndërrohet në të përhershme, duke e konsideruar atë një garanci shtesë sigurie për krahun lindor të NATO-s.

“Bazat e përhershme krijojnë angazhim të përhershëm”, tha Zalewski, duke argumentuar se një prani e tillë do t’i dërgonte gjithashtu një sinjal Moskës se SHBA-ja ka interesa strategjike në Poloni.

Një tjetër zyrtar polak ka deklaruar se Varshava synon në perspektivë rreth 15 mijë trupa amerikane në total, prej të cilëve 4–5 mijë mund të vendosen në një bazë të përhershme dhe pjesa tjetër të vazhdojë me rotacion. Megjithatë, këto shifra nuk përbëjnë ende një marrëveshje përfundimtare me SHBA-në.

Vendimi amerikan pritet të lidhet edhe me rishikimin më të gjerë të pranisë ushtarake të SHBA-së në Europë, që sipas zyrtarëve polakë mund të përfundojë në nëntor ose dhjetor.