Politika europiane gjatë 2019 shënoi ngritje të ekstremit të djathtë
Rritja e ekstremit të djathtë pati një ndikim të fuqishëm në politikën evropiane në vitin 2019, veçanërisht në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, por edhe në zgjedhjet kombëtare dhe lokale.
Suksesi më i theksuar i partive të ekstremit të djathtë ishte dominimi i tyre në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj në tre nga katër vendet më të mëdha të BE-së sipas popullsisë: Franca, Britania e Madhe dhe Italia.
Në Francë, Partia Fronti Kombëtar e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen shënoi një fitore të ngushtë ndaj koalicionit të partisë së Presidentit Emmanuel Macron, duke marrë 23 për qind të votave.
Në Britani të Madhe, e cila pritet të largohet nga BE, Partia Brexit e politikanit populist Nigel Farage fitoi me 30 për qind.
Në Itali, Partia e djathtë ekstremiste e Ligës Popullore e Zëvendëskryeministrit Matteo Salvini shënoi një fitore gjithëpërfshirëse, duke marrë 34 për qind të votave, duke shënuar një diferencë të madhe nga Partia Demokratike e majtë, e cila mori 22 për qind.
Forcimi i këtyre partive euroskeptike shtron pyetje serioze mbi të ardhmen e BE-së.
Rritja e subjekteve të ekstremit të djathtë ishte e dukshme edhe në zgjedhjet e tjera të mbajtura këtë vit.
Spanja zhvilloi dy palë zgjedhje të përgjithshme, një në prill dhe një në nëntor. Partia e ekstremit të djathtë Vox siguroi 24 vende në parlamentin me 350 vende gjatë zgjedhjeve të para dhe 52 vende në të dytën, duke u bërë partia e tretë më e madhe në vend.
Në Gjermani, ndërkohë, zgjedhjet e tetorit në shtetin qendror lindor-Tyringia pasqyruan rritjen e votës të ekstremit të djathtë në vendin më të populluar të BE-së.
Ndërsa partia e majtë fitoi, partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) doli në vendin e dytë, duke marrë dyfishin e votave në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.
Në anën tjetër, partia e qendrës së djathtë e Unionit Kristiano-Demokratike (CDU) e Kancelares Angela Merkel pësoi një humbje të thellë, duke arritur të fitojë vetëm 21.8 për qind, me një rënie prej 12 për qind nga zgjedhjet e fundit.
Në Itali, përveç fitores së tij në zgjedhjet në BE, politikani i ekstremit të djathtë Salvini shënoi edhe një fitore historike në zgjedhjet e tetorit në Umbria, një rajon i sunduar nga e majta për gjysmë shekulli.
Koalicioni i kryesuar nga Salvini mori 57 për qind të votave, ndërsa koalicioni i qendrës së majtë fitoi 37 për qind.
Salvini gjithashtu është duke udhëhequr qartë në sondazhet e opinioneve për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të Italisë.
AA