Pezullohen negociatat për rizgjedhjen e Roberta Metsolës në krye të Parlamentit Evropian

26 Nov 2026 • 09:52
Shpërndaje:

Negociatat ndërmjet tri grupeve kryesore të qendrës në Parlamentin Evropian, që synonin të hapnin rrugën për rizgjedhjen e Roberta Metsolës në postin e presidentes së institucionit, janë pezulluar pasi Partia Popullore Evropiane (EPP) bashkoi sërish votat me të djathtën ekstreme për legjislacionin mjedisor.

Sipas POLITICO, Socialistët dhe Demokratët (S&D) dhe grupi liberal Renew Europe prej dy javësh po punojnë për arritjen e një marrëveshjeje koalicioni me EPP-në, pas disa rasteve kur kjo e fundit ka bashkëpunuar me forcat e së djathtës ekstreme për miratimin e legjislacionit mbi migracionin dhe klimën.

Marrëveshja synon gjithashtu të zgjidhë mosmarrëveshjet për drejtimin e Parlamentit Evropian. EPP kërkon një mandat të tretë për Metsolën, ndërsa socialistët këmbëngulin se tashmë u takon atyre të marrin drejtimin e institucionit. Sipas marrëveshjes së diskutuar, socialistët do të merrnin garanci të shkruara politike në këmbim të mbështetjes për rizgjedhjen e Metsolës.

Reklamë Ola

Pezullimi i negociatave të mërkurën u konfirmua nga zëdhënësi i kryetares së Renew Europe, Valérie Hayer. Sipas burimeve të njohura me procesin, socialistët dhe liberalët kërkojnë garanci më të forta nga EPP për respektimin e marrëveshjeve të koalicionit dhe shmangien e bashkëpunimeve të ngjashme me të djathtën ekstreme.

Përplasja e fundit erdhi pasi EPP mbështeti një amendament të propozuar nga grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), i cili i kërkon Komisionit Evropian të rishikojë legjislacionin për mbrojtjen e biodiversitetit dhe parqeve natyrore. Socialistët kundërshtuan amendamentin, duke bërë që marrëveshja e arritur më herët për paketën mjedisore të dështonte.

Reklamë InterMedika

Kreu i EPP-së, Manfred Weber, mbrojti qëndrimin e grupit të tij, duke argumentuar se rishikimi i legjislacionit është pjesë e programit politik të konservatorëve. Ai ka deklaruar gjithashtu se bashkëpunimi me EPP-në nuk është ekskluziv për asnjë grup politik.

Sipas POLITICO, pezullimi i negociatave nuk pritet të zgjasë shumë, pasi tri grupet kanë nevojë për bashkëpunim për miratimin e legjislacionit të propozuar nga Komisioni Evropian, i drejtuar nga Ursula von der Leyen.

Përpara përplasjes së fundit, arritja e një marrëveshjeje përfundimtare pritej brenda dy javësh. Zëdhënësit e Manfred Weber dhe të kryetares së grupit socialist, Iratxe García, nuk pranuan të komentojnë mbi zhvillimet.