OBSH: Rreziku nga hantavirusi mbetet i ulët, pas shpërthimit në anijen turistike
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se rreziku për popullatën e përgjithshme nga Hantavirus mbetet shumë i ulët, ndërsa vendet po përgatiten të riatdhesojnë pasagjerët e bllokuar në anijen turistike MV Hondius, ku u shfaq sëmundja.
Tre pasagjerë, një çift nga Holanda dhe një grua nga Gjermania, kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë infektuar me virusin që zakonisht transmetohet nga brejtësit.
Autoritetet konfirmuan se rastet lidhen me variantin “Andes”, i vetmi lloj i hantavirusit që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.
Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, theksoi se virusi nuk përhapet lehtësisht mes njerëzve. Ai nënvizoi se edhe persona që kanë ndarë të njëjtën kabinë me të infektuarit nuk janë sëmurur, çka tregon për një ngjitshmëri të kufizuar.
OBSH konfirmoi gjithashtu se një stjuardesë e KLM, e cila kishte pasur kontakt me një pasagjere të infektuar, rezultoi negative për virusin. “Ky është një lajm i mirë”, u shpreh Lindmeier, duke shtuar se situata nuk i afrohet nivelit të përhapjes së COVID-19.
Anija “MV Hondius” pritet të mbërrijë në Tenerife, pjesë e Ishujt Kanarie, ku pasagjerët do të transferohen drejt aeroportit për t’u kthyer në vendet e tyre. Autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se anija nuk do të ankorohet drejtpërdrejt në port.
Ndërkohë, autoritetet britanike raportuan edhe një rast të dyshuar në Tristan da Cunha, një nga vendbanimet më të largëta në botë.
Pasagjerët në bord vijojnë të respektojnë masat mbrojtëse, duke mbajtur maska dhe duke ruajtur distancimin fizik gjatë udhëtimit drejt destinacionit final.







