Nufi sulmon Goxhajn: UÇK-ja nuk përdoret për interesa politike
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, reagoi sot lidhur me rolin e Dritan Goxhajt në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, ku ai artikuloi publikisht kërkesat e protestuesve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nufi kritikoi ashpër Goxhajn dhe përdorimin, sipas tij, të emrit dhe simbolikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për qëllime politike apo personale.
Ministri u shpreh se askush nuk duhet të flasë në emër të UÇK-së pa pasur lidhje reale me luftën dhe sakrificat e saj, duke theksuar se historia dhe simboli i saj nuk mund të përdoren për interesa të momentit.
“Sa e lehtë është të mbështesësh luftën nga divani dhe të refuzosh të shkosh me shokët në fushëbetejë, njëjtë si sot të marrësh ‘pëlqime’ nga sheshi i një proteste, e cila nuk dihet nga ata që e përkrahin as se kush e drejton apo çfarë realisht kërkon të arrijë”, shkroi Nufi.
Ai kritikoi gjithashtu protestën, duke pretenduar se ajo nuk ka objektiva të qarta dhe se qytetarët që marrin pjesë në të nuk e dinë se kush e drejton apo cili është qëllimi përfundimtar i saj.
Në reagimin e tij, ministri theksoi se UÇK-ja përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare dhe se emri i saj nuk duhet të përfshihet në debatet politike të ditës.
“Nuk ka turp më të madh se sa të hidhet baltë mbi gjakun dhe flamurin e UÇK-së, luftës më të lavdishme të popullit shqiptar për liri në trojet e veta, duke e lidhur atë me sharlatanë që guxojnë të flasin në emër të heronjve të vërtetë”, deklaroi ai.
Më tej, Nufi akuzoi Goxhajn se po dëmton interesat kombëtare shqiptare dhe se qëndrimet e tij nuk kanë asnjë lidhje me idealet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ky lloj njeriu vetëm me iranianët dhe gjakprishurit ka lidhje, sepse me UÇK-në asnjë lloj lidhje nuk ka”, u shpreh ministri.
Në vijim të reagimit të tij, Nufi kujtoi se drejtuesit dhe figurat kryesore të luftës çlirimtare të Kosovës vazhdojnë të përballen me procese gjyqësore në Hagë.
“Komandanti i vërtetë i UÇK-së është në Hagë, i mbajtur padrejtësisht”, shkroi ai.
Ministri i Mbrojtjes e mbylli reagimin e tij me një vlerësim për Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë socialiste, duke e cilësuar kreun e qeverisë si arkitektin e transformimit të Shqipërisë gjatë viteve të fundit.
“Arkitekti i vërtetë i revolucionit të rrugëtimit të Shqipërisë drejt familjes së vlerave europiane, duke bërë një transformim të jashtëzakonshëm për vendin, është Edi Rama dhe këtë e kanë treguar më së miri shqiptarët me votën e tyre duke e mbështetur masivisht atë dhe Partinë Socialiste”, përfundoi Nufi.







