Ibrahimaj mbron projektin “Durana”: Simbol i vizionit për ta bërë Shqipërinë qendër të inovacionit dhe teknologjisë
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mbrojti sot në Kuvend Parkun Teknologjik “Durana”, duke e cilësuar atë një projekt strategjik për zhvillimin e inovacionit, teknologjisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Gjatë seancës plenare, Ibrahimaj deklaroi se “Durana” përfaqëson një model të ri zhvillimi ekonomik, i ndërtuar mbi inovacionin, kërkimin shkencor dhe teknologjinë, me synimin për ta bërë Shqipërinë më konkurruese në rajon dhe më tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë.
Sipas saj, transparenca dhe hapja ndaj sipërmarrjes janë parime themelore të funksionimit të parkut, ndërsa qeveria mbetet e angazhuar për të informuar qytetarët, bizneset dhe investitorët potencialë mbi mundësitë që ofron ky projekt.
Ibrahimaj hodhi poshtë akuzat e opozitës ndaj parkut teknologjik, duke argumentuar se ato nuk pasqyrojnë mënyrën reale të funksionimit të tij dhe nuk mbështeten në fakte.
“Fakti që opozita rikthehet me të njëjtat pretendime tregon se problemi nuk është mungesa e informacionit, por ndoshta mosdakordësia me idenë e zhvillimit dhe tërheqjes së investimeve në këtë fushë. Inovacioni ka qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e agjendës së qeverisë dhe kjo ishte arsyeja pse u miratua ligji për parqet teknologjike”, deklaroi ministrja.
Ajo theksoi se qëllimi i projektit është krijimi i një tregu konkurrues në Ballkan për investimet në teknologjinë e informacionit, si dhe krijimi i mundësive të reja për të rinjtë shqiptarë që duan të studiojnë, punojnë dhe investojnë në vend.
Sipas Ibrahimajt, zhvillimi i sektorit të teknologjisë së informacionit gjatë dekadës së fundit dëshmon se Shqipëria ka potencial të madh për t’u shndërruar në një qendër rajonale të inovacionit.
“Durana nuk është një projekt i zakonshëm. Nuk është thjesht një parcelë toke apo një regjim fiskal. Është simbol i një politike dhe i një vizioni për të ardhmen, për ta bërë Shqipërinë një ekonomi konkurruese me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian në fushën e teknologjisë së informacionit”, u shpreh ajo.
Ministrja kundërshtoi gjithashtu pretendimet se parku krijon trajtim fiskal preferencial në kundërshtim me standardet e OECD-së, duke theksuar se modeli i ndjekur bazohet në praktika ndërkombëtare dhe standarde ligjore të njohura.
Duke prezantuar të dhënat më të fundit, Ibrahimaj bëri të ditur se gjatë periudhës janar-qershor 2026, 42 entitete të reja kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e “Duranës”.
Nga këto, 28 kompani janë miratuar, ndërsa 11 të tjera ndodhen në fazën përfundimtare të nënshkrimit të kontratave.
Aktualisht, Parku Teknologjik “Durana” numëron 82 rezidentë aktivë, ku rreth gjysma janë kompani ndërkombëtare.
Sipas ministres, ky interes në rritje dëshmon se projekti po arrin objektivin për të tërhequr investime të huaja dhe për të krijuar një ekosistem të ri ekonomik të orientuar drejt inovacionit dhe teknologjisë.







