Studentët në të gjithë vendin kanë nisur këtë të hënë vitin e ri akademik 2026–2027, ndërsa mbi 20 mijë të rinj ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve.
Edhe këtë vit, universitetet publike mbajnë pjesën më të madhe të pranimeve. Rreth 70% e studentëve të rinj kanë zgjedhur institucionet publike të arsimit të lartë, ndërsa 30% janë orientuar drejt universiteteve private.
Mes degëve më të kërkuara nga maturantët renditen Mjekësia e Përgjithshme, Stomatologjia, Inxhinieria, Arkitektura dhe Teknologjia e Informacionit, fusha që vijojnë të tërheqin një numër të lartë aplikantësh.
Procesi i pranimeve nuk ka përfunduar ende. Ministria e Arsimit ka rihapur aplikimet për plotësimin e formularit A1Z në portalin “e-Albania” për kandidatët që duan të marrin pjesë në raundin e tretë të regjistrimeve në institucionet e arsimit të lartë.
Aplikimet për formularin A1Z do të qëndrojnë të hapura deri më 6 tetor, nga ora 08:00 deri në 16:00, përmes portalit “e-Albania”.
Raundi i tretë i aplikimeve dhe regjistrimeve do të zhvillohet nga 8 deri më 21 tetor 2026.
Pas përfundimit të këtij procesi, numri total i studentëve të rinj që nisin studimet e larta këtë vit akademik pritet të kalojë 21 mijë.


