×
Sunday, June 14, 2026

Netanyahu uron Trump për 80-vjetorin: Aleanca SHBA-Izrael do të forcohet edhe më tej

June 14, 2026


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka dërguar një mesazh urimi presidentit amerikan Donald Trump me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, duke vlerësuar rolin e tij në politikën ndërkombëtare dhe partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Në një postim në rrjetet sociale, Netanyahu i uroi Trumpit shëndet, forcë dhe sukses në drejtimin e SHBA-së, ndërsa theksoi rëndësinë e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

“Këtë vit ditëlindja juaj vjen në një kohë të gëzueshme. Ju uroj forcë dhe energji të vazhdueshme ndërsa e udhëhiqni Amerikën drejt një të ardhmeje të ndritur, me paqe përmes forcës”, shkroi Netanyahu.

Kreu i qeverisë izraelite shtoi se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin e tyre.

“Ne do ta çojmë aleancën tonë strategjike në nivele gjithnjë e më të larta”, theksoi ai.

Mesazhi i Netanyahut vjen në një moment kur raportimet mediatike kanë folur për mosmarrëveshje mes dy liderëve lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe negociatat mes SHBA-së dhe Iranit.

Sipas Axios, presidenti Trump i ka kërkuar Netanyahut të shmangë një përshkallëzim të ri të konfliktit me Iranin, duke paralajmëruar se Izraeli mund të mbetet i izoluar nëse lufta rifillon.

Raporti pretendon se gjatë një bisede telefonike javën e kaluar, Trump i kërkoi kryeministrit izraelit të veprojë me kujdes në raport me situatën rajonale. Deri tani, as Uashingtoni dhe as Tel Avivi nuk kanë mohuar publikisht ekzistencën e kësaj bisede.




Comments are closed.