Japonia po planifikon të dërgojë gjatë kësaj vere një delegacion zyrtar në Groenlandë për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në nxjerrjen e metaleve të rralla, raportoi media japoneze Nikkei.
Sipas raportimit, delegacioni do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë së Japonisë, Agjencisë Japoneze për Metale dhe Siguri të Energjisë (JOGMEC), si dhe drejtues të kompanive private të sektorit.
Gjatë vizitës, zyrtarët japonezë pritet të zhvillojnë takime me autoritetet lokale të Groenlandës për të diskutuar mundësitë e investimeve dhe bashkëpunimit në industrinë minerare.
Groenlanda, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, ka tërhequr vëmendjen e fuqive të mëdha për shkak të rezervave të konsiderueshme të metaleve të rralla dhe pozicionit të saj strategjik në rajonin e Arktikut.
Interesi ndërkombëtar për ishullin është rritur edhe më shumë pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në muajin janar, presidenti amerikan riktheu debatin mbi mundësinë e përvetësimit të Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara, deklarata që shkaktuan reagime të forta në Evropë. Megjithatë, më vonë administrata amerikane zbuti tonet, duke favorizuar një qasje diplomatike.
Metalet e rralla konsiderohen burime strategjike për prodhimin e teknologjive moderne, baterive, automjeteve elektrike dhe industrisë së energjisë së pastër, duke e bërë Groenlandën një nga zonat më të rëndësishme për garën globale mbi burimet natyrore.