×
Sunday, June 14, 2026

Rama: Presioni dhe kërcënimet ndaj mendimit ndryshe janë të papranueshme

June 14, 2026


Kryeministri Edi Rama komentoi protestat që po zhvillohen prej 15 ditësh, duke shprehur shqetësimin për atë që e cilësoi si frymë përjashtuese dhe presion ndaj personave që kanë qëndrime të ndryshme.

Në episodin e fundit të podkastit “Flasim”, Rama deklaroi se protesta është një e drejtë demokratike, por theksoi se askush nuk duhet të imponojë mendimin e tij përmes bullizmit, kërcënimeve apo intimidimit të të tjerëve.

“Fryma fashiste nuk ka nevojë për uniforma dhe për armë. Fryma fashiste është fryma që thotë: ‘Shqipëria është e shqiptarëve’, pra, të gjithë të tjerët jashtë nuk janë të mirëseardhur. Siç ishte Gjermania e gjermanëve dhe u bë ‘delja e zezë’ e Europës për vite e vite të tëra. ‘Greqia është e grekëve’, thoshin këta hajvanët e Agimit të Artë, që u bënë një problem për Greqinë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, një qasje e tillë shfaqet edhe kur dikush kërkon të drejtën për të protestuar, por nuk pranon që të tjerët të kenë mendime apo qëndrime të ndryshme.

“Fryma fashiste është kur ti thua: ‘Unë dua të flas, unë dua të them atë që mendoj, unë dua të protestoj, unë dua të rri në bulevard’, por nuk pranon që të tjerët të kenë një opinion apo një qëndrim tjetër”, tha ai.

Kryeministri shtoi se është e papranueshme që individë apo grupime të ndryshme të përpiqen t’u imponohen qytetarëve të tjerë përmes presionit dhe kërcënimeve.

“Është e patolerueshme që një grup njerëzish, një forcë politike apo një konglomerat partish, t’i imponohet pjesës tjetër duke i thënë: ‘O do mendosh kështu si unë, o unë do të të bullizoj, do të të kërcënoj’. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe kjo duhet ndalur”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se sipas tij, këto sjellje duhet të refuzohen dhe të mos tolerohen në një shoqëri demokratike.




Comments are closed.