Rama: Shqipëria është në pikën më të mirë të historisë së saj, por duhet të bëhet edhe më mirë
June 14, 2026
Kryeministri Edi Rama e cilësoi 35-vjetorin e Partisë Socialiste si një moment krenarie, reflektimi dhe angazhimi për të ardhmen, duke deklaruar se Shqipëria ndodhet sot në nivelin më të lartë të zhvillimit në historinë e saj, falë reformave dhe qeverisjes së socialistëve.
Në podcastin “Flasim”, Rama u ndal gjerësisht te arritjet e vendit, procesi i integrimit europian dhe protestat e javëve të fundit, duke paralajmëruar për rrezikun e keqinformimit dhe deformimit të debatit publik.
“35 vjet Parti Socialiste, një kremtim i planifikuar prej kohësh, që u kurorëzua me 12 qershorin, në një moment të veçantë, sepse jo thjesht është një ditëlindje dhe një përvjetor, por është një moment që e gjen Shqipërinë më mirë se Shqipëria ka qenë ndonjëherë në çdo aspekt dhe kjo falë Partisë Socialiste dhe qeverive të saj.
Ndërkohë që, nga ana tjetër, është një moment edhe reflektimi dhe angazhimi, sepse Shqipëria është më mirë se ç’ka qenë ndonjëherë, por Shqipëria duhet të bëhet ende shumë më mirë se ç’është. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste, mund ta bëjë vetëm kjo fuqi e madhe shtetndërtuese, me të gjitha vështirësitë dhe me të gjitha të metat e veta.
Ironikisht, ky 35-vjetor ose më saktë, për një koincidencë që mbase është edhe një shenjë e rëndësishme për t’u ndalur një moment, për të marrë frymë dhe për të kuptuar se çfarë duhet të mësojmë nga kjo valë protestash që përkoi me këtë 35-vjetor debatesh dhe nga kjo frymë, si të thuash e tensionuar, fatmirësisht paqësisht, që ka pushtuar hapësirën publike ditët e fundit.
Një frymë që ushqehet edhe nga fakti që, për shkak të kësaj çështjeje që inicioi protestën, natyrisht si rezultat i një akti skandaloz, që u dënua menjëherë edhe ligjërisht, edhe institucionalisht, qëndron familja e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Dhe kjo bën që të gjithë ata që janë kundërshtarë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të jenë të interesuar për këtë protestë, që Shqipëria të bëhet një platformë ku të përplasen forca shumë të mëdha.
Të përplaset opozita amerikane me presidentin e Amerikës, të përplaset kundërshtia europiane me presidentin e Amerikës, të përplasen interesa të tjera që e duan Shqipërinë të ripozicionuar ndryshe dhe të bëhet një udhëkryq ku, faktikisht, kundërshtia e fillimit kthehet në një gjë krejt tjetër.
Dhe Shqipëria përmbytet nga një shpërthim i të gjitha kanaleve të keqinformimit, të dezinformimit, të gjysmë të vërtetave që bëhen gënjeshtra gjithmonë e më të mëdha, orë pas ore, dhe që faktikisht i vendosin faktet në cep dhe fantazinë në qendër.
Natyrisht që protesta është shëmbëlltyrë e një vendi demokratik. Natyrisht që është shëndeti demokratik i vendit që ka një protestë e cila lind dhe formësohet jo rreth partive, jo pas partive. Edhe pse tani partitë janë të gjitha të futura aty, duke hedhur gurët e fshehur duart disa, ndërkohë që ndonjë tjetër, siç janë llapaqorrat, janë aty.
Por po aq e rëndësishme është që të mos humbasim aftësinë për të dalluar mes debatit dhe histerisë, mes kritikës dhe shpifjes, mes argumentit pasionant dhe bullizmit, kërcënimit, presionit dhe denigrimit të tjetrit.
Shqipëria nuk mund të ecë përpara duke u paralizuar nga frika prej një ndryshimi të madh, prej një projekti të madh, prej një investimi që është më i madhi në historinë e vendit tonë.
Dhe, patjetër që do të ecim përpara, duke dëgjuar çfarë duhet të dëgjojmë, duke mësuar nga çfarë na thonë ata që nuk janë dakord me ne, por duke vazhduar të ndërtojmë Shqipërinë me forcën e Partisë Socialiste, që është forca që ka ndërmarrë reforma të vështira, ka shtyrë përpara procese që shpesh janë kundërshtuar, por që sot kanë ndryshuar rrënjësisht edhe gjendjen, edhe pozicionin e Shqipërisë.
Dhe për këtë mjafton të kthejmë kokën pas, jo më shumë se 10 vjet, për të parë se ku ishim në raport me botën, me ekonominë, me institucionet dhe me gjithçka tjetër.
Faktikisht, nuk ka simbolikë më të fortë sesa fakti që ky 35-vjetor na gjeti edhe në pikën më të avancuar të rrugës sonë europiane. Pak javë më parë hymë në fazën e fundit të negociatave për anëtarësim, që është faza e mbylljes së kapitujve, duke u afruar më shumë se kurrë me atë objektiv historik dhe strategjik që shqiptarët e kanë ndjekur me dekada dhe që ne e kemi fiksimin tonë ditë për ditë, ditë për ditë, ditë për ditë”, u shpreh Rama.