×
Sunday, June 14, 2026

Netanyahu mbledh kabinetin e sigurisë pas përparimit në bisedimet SHBA-Iran

June 14, 2026


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të mbledhë të dielën në mbrëmje kabinetin e sigurisë, në një moment kur negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duket se po shënojnë zhvillime të reja.

Sipas mediave izraelite, takimi është thirrur pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili njoftoi se Uashingtoni dhe Teherani do të vazhdojnë procesin drejt nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi, duke sinjalizuar progres në bisedimet diplomatike.

Channel 12 raportoi se zyrtarë të lartë izraelitë kanë ngritur shqetësime serioze për përmbajtjen e marrëveshjes së mundshme, duke vlerësuar se disa nga kushtet e saj mund të prekin interesat strategjike dhe sigurinë e Izraelit.

Sipas të njëjtave burime, në Izrael ekziston shqetësimi se SHBA-ja mund të ketë pranuar disa nga kërkesat kryesore të Iranit gjatë procesit negociues, çka ka shtuar pikëpyetjet mbi ndikimin që marrëveshja mund të ketë në ekuilibrat e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Deri tani, as administrata amerikane dhe as autoritetet iraniane nuk kanë bërë publike detaje konkrete mbi përmbajtjen e memorandumit që po diskutohet. Takimi i kabinetit izraelit pritet të fokusohet në vlerësimin e pasojave të mundshme të marrëveshjes dhe në qëndrimin që Tel Avivi do të mbajë ndaj zhvillimeve të fundit diplomatike.




Comments are closed.