Netanyahu: IDF do të qëndrojë pa afat në Libanin jugor, Siri dhe Gaza
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ushtria izraelite do të mbajë një prani ushtarake pa afat në zonat e sigurisë të krijuara në Libanin jugor, Siri dhe Rripin e Gazës, duke theksuar se Izraeli nuk ka ndërmend të tërhiqet prej tyre.
Në një deklaratë të përbashkët me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, Netanyahu u shpreh se kontrolli mbi këto zona është pjesë e strategjisë së sigurisë së Izraelit.
“Ne dominojmë Libanin jugor nga maja e Beaufort dhe do të qëndrojmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme në zonën e sigurisë në Libanin jugor. Nuk kemi ndërmend të tërhiqemi prej saj”, deklaroi ai.
Netanyahu foli edhe për vështirësitë gjatë konfliktit, duke zbuluar se Izraeli u përball përkohësisht me pezullimin e furnizimeve me municione nga Shtetet e Bashkuara.
“Kam qenë i detyruar t’u them miqve tanë amerikanë se, nëse do të jetë e nevojshme, do të luftojmë edhe me thonjtë tanë”, tha kryeministri izraelit.
Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij ndaj programit bërthamor iranian, duke deklaruar se nuk do të lejojë në asnjë rrethanë që Irani të pajiset me armë bërthamore.
“Me ose pa marrëveshje, për sa kohë që unë jam kryeministër i Izraelit, Irani nuk do të ketë armë bërthamore”, u shpreh Netanyahu.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të vazhdojnë të qëndrojnë në zonat e sigurisë në Liban, Siri dhe Gaza “pa asnjë kufizim kohor”.







