×
Tuesday, December 10, 2024

“Mungesa e vendimit për bisedimet me BE-në, do të nënkuptojë që dera është mbyllur”

March 9, 2020


Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, duke filluar nga dje, mbahet Think tank forumi me titull “Stimulimi i autonomisë strategjike, kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e përbashkët evropiane”.

Në ditën e dytë të forumit i cili organizohet nga instituti për demokraci “Societas Civilis” në bashkëpunim me Këshillin Evropian për Politikë të Jashtme, u mbajtën panel diskutime për temat siç janë: migrimi, kërcënimet hibride, sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Evropës, ndërsa në seancën përmbledhëse fjalim kishin edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Nikolla Dimitrov dhe Ekaterina Zakharieva.

Gjithashtu, të pranishëm në forum ishin edhe ambasadorë të vendeve evropiane në Shkup, duke përfshirë ambasadorin e Francës, Gjermanisë, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Duke folur për aspektin e sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, ministri Dimitrov theksoi se ai gjeografikisht është pjesë e integruar e sigurisë së Evropës, duke argumentuar se kohëve të fundit ka pranuar telefonata nga ministrat e jashtëm evropianë në lidhje me situatën me migrantët.

“Pas ditës tragjike në Idlib, Siri, që shkaktoi sfidën e migracionit, ishte fundjavë, pranova disa telefonata nga ministra të jashtëm evropianë që fillmisht telefonuan Athinën, por disa prej tyre na telefonuan edhe neve këtu. Kjo është domethënëse. Ky është argumenti i fuqishëm dhe i padiskutueshëm gjeografik”, tha Dimitrov.

Ai gjithashtu foli edhe për procesin integrues të Maqedonisë së Veriut, me ç’rast theksoi nevojën e miratimit të vendimit për fillim të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) gjatë Samitit të Zagrebit që do të mbahet në muajin maj.

“Mendoj se nëse nuk ka vendim tani, pas një përditësimi të shkëlqyeshëm të agjendës reformuese e cila së fundmi u publikua nga Komisioni, mungesa e vendimit në esencë do të nënkuptojë që dera është mbyllur”, tha Dimitrov.

Ministrja Zakharieva tha se është një shenjë e mirë për rajonin që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të kryesojnë me Procesin e Berlinit, duke shtuar se do të angazhohet që të zbatohen rekomandimet që rezultojnë nga forumi i organizatave joqeveritare.

“Mendoj se është një shenjë për rajonin. Dy shtete fqinje të bashkëkryesojnë me Procesin e Berlinit, një nga shtetet Ballkanike dhe një shtetet anëtare të BE-së, Bullgaria. Kryesimi i Procesit të Berlinit është në rajon dhe mendoj se është një shenjë e mrekullueshme e vlerës së shtuar të Procesin e Berlinit”, tha Zakharieva.

Kryediplomatja bullgare tha se vendet e rajonit duhet të ndihmohen mes vete, por edhe të ndihmojnë vendet evropiane që akoma nuk e shohin Ballkanin si pjesë të BE-së dhe t’u sqarohet se bëhet fjalë për një proces me përfitime të dyanshme.

Gjatë ditës së nesërme, pas përfundimit të forumit, do të mbahet edhe takim i ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, me çka do të shënohet kryesimi i përbashkët i këtij procesi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në këtë takim pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të BE-së dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments