Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kundërshtuar propozimin e ri për buxhetin e Bashkimit Europian për periudhën 2028-2034, duke kërkuar reduktime më të mëdha të shpenzimeve, pavarësisht kursimeve prej rreth 140 miliardë eurosh të parashikuara në draftin e presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së.
Propozimi i ri synon të ulë me rreth 8% buxhetin krahasuar me planin fillestar të Komisionit Europian, i cili arrinte në afro 2 trilionë euro. Megjithatë, për Gjermaninë, kjo ulje mbetet e pamjaftueshme.
“Shuma e parashikuar në propozimin e ri nuk përbën bazë për një marrëveshje. Kaq nuk mjafton. Buxheti duhet të reduktohet akoma edhe më shumë”, deklaroi Merz.
Gjermania kërkon më pak shpenzime dhe ndryshim prioritetesh
Berlini, së bashku me Holandën, Suedinë dhe Austrinë, kërkon një buxhet më të kufizuar, duke argumentuar se vendet që kontribuojnë më shumë sesa përfitojnë nga fondet europiane nuk duhet të përballen me një barrë financiare gjithnjë e më të madhe.
Sipas Merz, përveç uljes së shpenzimeve, nevojitet edhe modernizimi i buxhetit, duke orientuar më shumë fonde drejt konkurrueshmërisë ekonomike, kërkimit shkencor dhe mbrojtjes.
Pikërisht shpërndarja e fondeve përbën një tjetër burim mosmarrëveshjesh. Drafti irlandez parashikon reduktime në disa prej sektorëve që Gjermania kërkon të forcojë, ndërsa mbështetja për bujqësinë, zhvillimin rajonal, migracionin dhe sigurinë e brendshme mbetet kryesisht e paprekur.
“Buxheti i BE-së duhet të jetë i përballueshëm për ata që mbajnë barrën kryesore të financimit. Modernizimi i buxhetit europian është një detyrë e përbashkët e të gjitha shteteve anëtare”, theksoi kancelari gjerman.
Parlamenti Europian kundërshton shkurtimet
Propozimi ka hasur kundërshtime edhe në Parlamentin Europian, por për arsye të ndryshme nga ato të Gjermanisë dhe vendeve të tjera që kërkojnë kursime.
Negociatorët e Parlamentit argumentojnë se një reduktim prej 8% do të kufizonte aftësinë e BE-së për të financuar prioritetet e ardhshme, në një periudhë kur nevojiten investime më të mëdha në siguri, mbrojtje dhe zhvillim ekonomik.
Përplasjet mes shteteve anëtare dhe institucioneve europiane pritet të vazhdojnë gjatë samitit të ardhshëm të udhëheqësve të BE-së në Bruksel.
Dallimet mbi madhësinë e buxhetit dhe shpërndarjen e fondeve e bëjnë të vështirë arritjen e një kompromisi deri në fund të vitit.


