×
Tuesday, May 5, 2026

Koçiu në konferencën për klimën: Bashkëpunimi rajonal, thelbësor për përballimin e krizës klimatike

May 5, 2026


Në Tiranë u zhvillua konferenca rajonale mbi klimën me temën “Të bashkuar për klimën”, një takim që solli së bashku përfaqësues institucionalë dhe ekspertë të mjedisit nga rajoni, me fokus forcimin e bashkëpunimit, inovacionin dhe politikat e gjelbra si përgjigje ndaj sfidave klimatike gjithnjë e më të shpeshta.

Zv. kryeministrja Albana Koçiu, gjatë fjalës së saj, theksoi se ndryshimet klimatike nuk njohin kufij shtetërorë dhe kërkojnë reagim të përbashkët dhe të koordinuar mes vendeve. Ajo solli si shembull përmbytjet, zjarret masive dhe thatësirat e viteve të fundit, duke nënvizuar se këto fenomene prekin njësoj të gjitha vendet e rajonit, pa dallim territori apo administrimi.

Sipas Koçiut, bashkëpunimi rajonal nuk është më një opsion politik, por një domosdoshmëri praktike. Ajo theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kalojnë nga faza e strategjive në zbatim konkret të politikave klimatike, duke forcuar kapacitetet institucionale dhe koordinimin ndërkufitar.

“Duhet të jemi të bashkuar, sepse klima nuk na lë asnjë alternativë tjetër. Përmbytjet nuk ndalen në kufij, zjarret nuk pyesin për administrata dhe thatësirat nuk konsultohen me institucione. Pyetja është nëse jemi mjaftueshëm të bashkuar dhe nëse jemi në kohë”, u shpreh ajo.

Zv. kryeministrja vlerësoi se Bashkimi Evropian përfaqëson një model të rëndësishëm bashkëpunimi, jo vetëm si projekt ekonomik, por si mënyrë e përbashkët të menduari dhe vepruari përballë sfidave globale. Sipas saj, ndarja e burimeve, të dhënave dhe përgjegjësive është çelësi për një menaxhim efektiv të krizave klimatike.

Duke u ndalur te situata në Ballkanin Perëndimor, Koçiu tha se rajoni ka bërë progres në hartimin e strategjive dhe planeve, por ende mbetet sfidë zbatimi i tyre në praktikë. Ajo theksoi se tre shtyllat kryesore për përballimin e krizës klimatike janë financimi i qëndrueshëm, aksesi dhe përdorimi i të dhënave të sakta, si dhe bashkëpunimi i vërtetë ndërkufitar.

“Financimi nuk është çështje bamirësie, por investim në sigurinë e përbashkët. Nuk mund të menaxhosh atë që nuk e mat. Dhe mbi të gjitha, nevojitet bashkëpunim real, jo vetëm në dokumente, por në terren”, shtoi ajo.

Në këtë kontekst, Koçiu nënvizoi se Shqipëria po punon për forcimin e sistemeve të mbrojtjes civile, investimin në teknologji dhe zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, me qëllim rritjen e reagimit ndaj emergjencave natyrore.

Në përmbyllje të fjalës së saj, ajo theksoi se Shqipëria synon të forcojë bashkëpunimin me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë, duke ndarë eksperienca dhe praktika më të mira në fushën e mjedisit dhe klimës.

“Asnjë vend nuk mund të përballet i vetëm me ndryshimet klimatike. Bashkëpunimi rajonal është rruga e vetme për një të ardhme të qëndrueshme, sepse klima nuk jep mundësi të dytë”, u shpreh zv. kryeministrja.




Comments are closed.