Gogu: Konventa për avokatët garanton mbrojtje të pavarur dhe efektive për qytetarët

06 Oct 2026 • 16:24
Shpërndaje:

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka paraqitur në Komisionin e Ligjeve Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, në kuadër të procedurës për ratifikimin e saj nga Kuvendi.

Në fjalën e tij, Gogu theksoi se konventa nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e një kategorie profesionale, por me të drejtën e çdo qytetari për t’u mbrojtur në mënyrë efektive dhe të pavarur përballë pushtetit të shtetit.

“Çështja që trajtohet sot nuk është një çështje thjesht e profesionit të avokatit, por ka të bëjë me thelbin kur secili prej nesh gjendet përballë pushtetit të shtetit”, deklaroi ministri.

Reklamë Ola

Konventa e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, e hapur për nënshkrim në maj 2025, synon të forcojë pavarësinë dhe sigurinë e avokatëve në ushtrimin e profesionit. Shqipëria e nënshkroi atë më 16 qershor 2026.

Dokumenti parashikon mbrojtjen e lirisë së ushtrimit të profesionit, konfidencialitetit të komunikimeve mes avokatit dhe klientit, lirisë së shprehjes profesionale, si dhe masa kundër kërcënimeve, ngacmimeve apo ndërhyrjeve të pajustifikuara.

Reklamë InterMedika

Gogu sqaroi se këto garanci nuk nënkuptojnë imunitet për avokatët, por synojnë të sigurojnë kushtet e nevojshme që ata të ushtrojnë funksionin e tyre pa presione dhe në përputhje me shtetin e së drejtës.

“Një sistem i drejtë kërkon që prokurori të ketë të gjitha mjetet për të hetuar, gjykata të jetë e pavarur për të kontrolluar ligjshmërinë dhe mbrojtja e lirë për të kundërshtuar shtetin kur ligji dhe faktet e kërkojnë. Fuqia e njërës nuk matet me dobësimin e tjetrës”, u shpreh ai.

Konventa parashikon gjithashtu një mekanizëm monitorimi përmes GRAVO-s, grupi i ekspertëve të pavarur që do të vlerësojë zbatimin e detyrimeve nga shtetet palë dhe do të publikojë raportet dhe përfundimet përkatëse.

Sipas ministrit, ratifikimi i konventës nuk do të thotë se të gjitha problematikat janë zgjidhur, por se Shqipëria pranon një standard ndërkombëtar dhe vendos zbatimin e tij nën një sistem të jashtëm monitorimi.

Konventa për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit është një nga tre dokumentet e Këshillit të Evropës që Shqipëria nënshkroi në qershor, së bashku me Konventën Kuadër për Inteligjencën Artificiale dhe marrëveshjen për krijimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën.